Rama konfirmon Bazhdarin për Shkodrën, LSI e mbështet

01/04/2015 00:00

Keti Bazhdari është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama si kandidatja e të majtës për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.

Kjo u mësua në takimin që Rama zhvilloi në teatrin “Migjeni” me strukturat e PS-së së qarkut Shkodër pasditen e së mërkurës. Rama ka sqaruar se kandidatura e zonjës Bazhdari nuk është e rastësishme.

Një burim nga ky takim i tha Top Channel se Rama e ka argumentuar përzgjedhjen e saj, pasi sipas tij për Shkodrën janë testuar nëpërmjet një sondazhi shumë emra dhe se ka rezultuar, që Keti Bazhdari është më e votuara, jo vetëm nga mbështetësit e  koalicionit të majtë, por edhe nga shoqëria civile, të rinjtë, përfshi persona të deklaruar si apolitikë.

Gjatë takimit me strukturat e partisë në Shkodër Rama u ka dhënë sqarime edhe për përjashtimin e deputetit Tom Doshi për të cilin burimet citojnë të ketë deklaruar se “zoti Doshi bëri deklarata të papërgjegjëshme ndaj ministrave dhe se përjashtimi nga grupi ishte i pashmangshëm”.

Pak pas përfundimit të këtij takimi LSI, nëpërmjet nënkryetarit Petrit Vasili  përshëndeti  konfirmimin e Keti Bazhdarit për bashkinë e Shkodrës.

“Ajo është një kandidate e shkëlqyer dhe LSI mbështet Bazhdarin për fitoren e Shkodrës, pasi ky qytet meriton ndryshimin”, ka theksuar Vasili.

Pas Elvis Roshit, aktualisht kryetar bashkie i Kavajës, Keti Bazhdari është emri i dytë që konfirmohet nga vetë Rama për garën e 21 Qershorit.

Top Channel