Votimi në Kuvend, Prokuroria i jep leje lëvizjeje Frrokut

01/04/2015 00:00

Deputeti Mark Frroku, i cili aktualisht është në arrest shtëpie pas vendimit të Gjykatës së Lartë për çështjen Doshi, do të paraqitet të enjten në Kuvend për llogari të një dosjeje të dytë për të cilën Prokuroria e Përgjithshme kërkon autorizim për ta arrestuar.

Këshilli i Rregullores, mandateve dhe imunitetit mitratoi në fakt një ditë më parë kërkesën e prokurorisë për t’i hapur rrugën arrestimit të tij, ndërkohë që deputeti Frroku kërkoi të jetë i pranishëm për të thënë fjalën e tij.

Për shkak se ai është në arrest shtëpie dhe nuk mund të lëvizë pa lejen e organit të hetimit, këtë të mërkurë Drejtoria e hetimit dhe ndjekjes penale në Prokurorinë e Përgjithshme lëshoi lejen e veçantë për Frrokun.

Në dokument thuhet se, Frroku duhet të marrë pjesë në mbledhjen e seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë që zhvillohet të enjten, në orën dhjetë.

Përveç përfaqësuesve të Frrokut, shkresa u është përcjellë edhe Policisë së Tiranës, e cila duhet të kryejë shoqërimin e deputetit, sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë, si instanca që vendosi masën e arrestit shtëpiak.

Top Channel