Shpërthimet e gazit, ekspertët: Shkak, shpimet për naftë dhe teknika e përdorur

01/04/2015 00:00

Profesor Gjergji Foto, një nga ekspertët më të njohur në gjeologjinë e naftës, thotë se shkaqet e shpërthimit të gazrave në Marinzë janë të lidhura me aktivitetet për shfrytëzimin e naftës në këtë zonë.

“Natyrisht, aty ka pasur grumbullime dhe shpërthime gazi, i cili ka aftësinë që kur nuk e di që ekziston e gazifikon shpejt solucionin e argjilës dhe e hedh jashtë. Në të tilla raste, edhe uji i injektuar që përdoret si teknologji nga “Bankers” bën që të hyjë dhe në prishjet tektonike dhe që ai solucion argjile, bashkë me ujërat e shtresës dhe gazin të shpërthejë ashtu siç shpërtheu, qoftë nga gryka e pusit, qoftë dhe larg grykës së pusit”, deklaron Foto.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që shpimet për naftë provokojnë shpërthime të ujit dhe gazrave në sipërfaqe. Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe më parë në Ballsh, Çakran, por edhe zona të tjera.

“Të gjitha kanë ardhur nga defekte teknike, ose mospërgatitje si duhet të projektit të shpimit”, nënvizon Foto.

Sipas profesor Fotos, dëmet materiale të këtyre shpërthimeve janë të mëdha për komunitetin përreth. “Dëmtohet dhe shkatërrohet ambjenti. Ndotet me gaz, etj. dhe e keqja është se mund të ndodhë në raste të tjera dhe nuk dihet kur ndodh”, shton Foto.

Por rreziku më i madh është ai i pasojave që gazi mund të ketë në shëndetëin e banorëve. Ndaj sipas tij, zgjidhja më e mirë është largimi i njerëzve nga zona e prekur deri sa të përfundojnë shpërthimet e gazrave.

Top Channel