Meksikë, përfshihet nga flakët platforma e naftës

02/04/2015 00:00

Një platformë nafte në det të hapur në Meksikë është përfshirë nga flakë të mëdha, duke i marrë jetën të paktën 4 punëtorëve, ndërsa 16 janë plagosur dhe 300 të tjerë janë evakuuar.

Tetë anije kanë marrë pjesë në operacionin për shuarjen e flakëve në platformën “Abkatun A-Permanente”, në Gjirin e Meksikës. Autoritetet meksikanë kanë bërë të ditur se fillimisht ka pasur një shpërthim në platformë dhe më pas me shpejtësi janë përhapur flakët.

Rreth 300 punëtorët e evakuuar janë vendosur në platforma të tjera që ndodhen në zonë, ndërsa të plagosurit janë transportuar me helikopterë në spital. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shkaqet e shpërthimit fillestar janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Top Channel