Vijon aksioni për lirimin e parkimeve publike nga makinat.

02/04/2015 00:00

Aksioni i policisë rrugore për lirimin e parkimeve publike nga makinat në shitje por edhe të braktisura në kryeqytet, sot do të fokusohet në zonën përpara stadiumit “Selman Stërmasi”. Besmir Qibini, shefi i komisariatit të policisë rrugore Tiranë ka deklaruar në një lidhje të drejtpërdrejtë në programin e mëngjesit “Wake Up” se çdo mjet që qendron më shumë se 15 ditë në këto hapësira do të largohet me karroatrec.

“Pas aksionit të djeshëm në zonën e Unazës së Vogël në Tiranë, sot plani i veprimit do të shtrihet në këtë treg makinash që ndodhet përpara këtij stadiumi. Është një hapësirë publike e shndërruar në një vend ku tregtohen makina. Në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, këto tregje makinash, përveç zënies së hapësirës publike, do të kontrollohen edhe për fshehje të ardhurash të paligjshme”,- ka thënë Qibini.

I pyetur se përse ky aksion nuk ka nisur më parë, Qibini ka thënë: “Realisht lirimi i hapësirave publike është edhe detyrë e Bashkisë së Tiranës. Infrastruktura jonë, pra pajisja me karroatreca, ka qenë e vetmja pengesë që ne nuk e kemi ndërmarrë më parë këtë planveprimi, por me t’u pajisur me mjetet tona përkatëse kemi nisur nga puna menjëherë”.

Sipas Qibinit, në ditët në vijim ky aksion do të shtrihet në të gjitha lagjet e Tiranës.

Top Channel