ARRSH: Probleme për lëvizjen e automjeteve në dy segmente rrugore në veri të vendit

02/04/2015 00:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar sot se, dy segmente rrugore në veri të vendit paraqesin probleme për lëvizjen e automjeteve.

Kështu, në aksin Krumë-Qafë Prush, në vendin e quajtur Bregu i Vlanës, vazhdojnë rrëshqitjet e masivit poshtë rrugës dhe, si rrjedhojë, edhe shkarje dhe shkëputje të trupit të rrugës.

Prej disa ditësh, kalimi në këtë segment kryhet në një korsi, por ARRSH vlerëson se “kjo situatë mund të sjellë bllokimin e rrugës për qarkullim”.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, “hedhja e materialeve inerte për të mbushur trupin e rrugës që ka rrëshqitur, rrezikon të shkaktojë rrëshqitjen totale të masivit, si rrjedhojë e rritjes së ngarkesës”.

Ndaj, grupi specialistëve të ARRSH-së, pas analizimit dhe inspektimit disaditor, ka konkluduar se situata paraqitet kritike, pasi shpati malor paraqet paqëndrueshmëri, gjendje kjo e krijuar dhe nga dherat e rrëshkitjes të trupit të rrugës.

ARRSH apelon ndaj drejtuesve të automjeteve të bëjnë kujdes nëse qarkullojnë në këtë segment rrugor dhe do të njoftojë kohë pas kohe për masat që po merren.

Segmenti i dytë rrugor që paraqet problem për qarkullimin është ai Domaj-Bushtricë, në rrugën Kukës-Peshkopi, si pasojë e rrëshqitjes masive të skarpatës së rrugës.

Në këtë aks ndodhet aktualisht grupi i punës për të verifikuar dhe vlerësuar nga afër situatën. Ndërkaq, ARRSH ka njoftuar se, pas masave të marra, Rruga e Kombit është e hapur me të katër korsitë e saj.

Top Channel