Shqipëria, e treta ndër destinacionet e 2015. Rama: Lajm i mirë për turizmin

02/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook
njofton se Shqipëria renditet e treta ndër destinacionet kryesore për
sezonin turistik veror 2015.

“Shqipëria cilësohet ‘Perla e re e Ballkanit’ dhe renditet e treta në 15 destinacionet kryesore për vitin 2015 nga revista prestigjoze franceze L’Express”, bën me dije Rama.

E, në fakt, shkrimi kushtuar destinacioneve turistike për këtë sezon veror, e përshkruan Shqipërinë me plazhe të bukura si në fqinjin tonë jugor, Greqi, vend me liqene dhe male si Zvicër, fshatra të futur në Listën e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Duke theksuar se historia shqiptare është mjaft interesante, revista shton me tej se riviera e mrekullueshme, çmimet e favorshme, hotelet mikpritëse janë arsye shumë e mirë që turistët t’i drejtohen vendit tonë për të kaluar këtu pushimet e tyre.

Lista e destinacioneve për revistën, fillon me Polinezinë, Japoninë, e treta është Shqipëria, e cila ndiqet nga Irlanda, Spanja e vende të tjera.

Top Channel