Marinzë, procedim penal për “Bankers”; policia konstaton 9 banesa të dëmtuara

02/04/2015 00:00

Drejtoria e Policisë së Fierit ka njoftuar nisjen prej ditës së djeshme të procedimit penal ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, si shkaktare e shpërthimit të gazit në fshatin Marinzë, në afërsi të pusit P29.

Fontanat ku shpërtheu gazi ndodhen rreth 200 metra nga pusi i shpimit të kompanisë në fjalë.

Me përfundimin e aktivitetit në këtë pus, rreth orës 13:00, u kryen veprimet e para procedurale, u bë këqyrja e banesave të dëmtuara nga llumi dhe uji i dalë nga fontana, si dhe e 6 banesave pa dëmtime strukturore në konstruktin e tyre, por me dëmtime në sipërfaqet e tokës përreth.

Është këqyrur dhe një pjesë e rrugës së fshatit Marinzë, rrugë e paasfaltuar, e cila ka pësuar dëmtime në disa pjesë të saj.

Policia është ende në pritje të specialistëve të AKBN-së për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërkohë që është konstatuar dëmtimi i banesave të 9 familjeve në këtë zonë.

Në vende të ndryshme përreth fontanës kryesore kishte çlirime të tjera, të cilat mund të shkaktonin dobësim të terrenit dhe dëmtime të banesave përreth.

Pas komunikimit me drejtues të pushtetit lokal u morën masa të menjëhershme për evakuimin e banorëve përreth zonës së mësipërme.

U evakuuan fillimisht 50 familje si dhe u bë sigurimi i vendit, duke mos lejuar futjen e personave të tjerë të paautorizuar në këtë territor, përveç punonjësve të kompanisë “Bankers Petroleum” dhe forcave të emergjencës.

Nga ana kompanisë u ndërhy në pusin P29, duke kryer çimentimin e tij dhe injektimin e lëndëve speciale, por policia për arsye sigurie ka ruajtur një perimetër prej 500 metra larg objektit.

Një vrimë në tokë dhe një sasi e madhe argjili ka mbetur nga shpërthimi i fortë i gazit nga nëntoka mëngjesin e një prillit. Familja që banonte pranë saj ishte ndër të parat që u largua për shkak të situatës katastrofike të krijuar.

E gjithë zona është e mbuluar nga balta e argjilës dhe ka ende burime më të vogla gazi, që kanë rritur frikën tek banorët, se pas asaj që ndodhi në fshat do të nisin shembjet e tokës.

Top Channel