Kuvendi voton në shumicë lejen për arrestimin e Frrokut

02/04/2015 00:00

Mark Frroku, sërish si një javë më parë, u paraqit në Kuvend për të
dhënë sqarime përpara kolegëve të tij për një tjetër akuzë, këtë herë
shumë më të rëndë se sa ajo për çështjen ‘Doshi’.

Përballë akuzës për vrasje, Mark Frroku lexoi një fjalim të shkruar dhe mbajti një deklaratë shumë herë më të gjatë, se një javë më parë.

“Unë jam betuar jo vetëm si deputet, por edhe si malësor, me rregullat e traditës dhe jo si ndonjë nga këta malësorët e ditëve të sotme. Pra, nuk kam kryer asnjë vepër penale, asnjë krim në jetën time, unë nuk kam vrarë, apo shtyrë askënd për të vrarë apo për të kanosur njeri”, tha Frroku.

Deputeti i Shkodrës bëri një sqarim, jo vetëm për akuzën penale, por edhe ato politike, pas deklarimeve të opozitës se ishte ajo që kishte denoncuar shumë kohë më parë rastin e tij.

“Po e them nga kjo sallë, se kush kërkon të kriminalizojë këto vota, e ka shumë gabim. Nuk ka as bankë, as bandë që të blejë vullnetin e popullit për ndryshim, këtë harrojeni! Unë nuk lejoj askënd që t’u shesë shqiptarëve, dekriminalizimin si sapun, për djathë, duke përdorur kufomën time politike. Asnjëherë unë kam qenë skllav i Kryeministrit, i Kryetarit të Parlamentit. Unë jam skllav vetëm përpara Zotit”, tha Frroku.

Mark Frroku la sallën përpara se të bëhej ky votim. Ndryshe nga një javë më parë, kur opozita nuk votoi, këtë herë ajo bashkoi votat me mazhorancën, madje duke insistuar që edhe kreu i Qeverisë të ishte i pranishëm në sallë pas largimit të tij, vetëm pak minuta.

“E mira, rregulli, etika dhe morali e donte që edhe Kryeministri të ishte në sallë, t’i nënshtrohej votimit për të treguar vullnetin e mazhorancës, për dekriminalizimin e këtij Kuvendi. Duhet të ishte këtu dhe të tregonte vullnetin që tregoni për dekriminalizimin e Kuvendit, ndryshe jeni të përfshirë kokë e këmbë me krimin”, tha deputeti i PD-së, Arben Ristani, ndërkohë që debati në sallë ishte i ashpër.

Top Channel