Jemen, intensifikohen luftimet në Aden; Al Kaeda liron 200 të burgosur

02/04/2015 00:00

Luftimet në qytetin e Adenit, në Jemen, janë intensifikuar teksa rebelët e etnisë Houthi përpiqen të marrin nën kontroll bastionin e qeverisë. Nga informacionet e fundit mësohet se në portin e qytetit kanë mbërritur luftëtarë të huaj.

Shqetësimet po rriten edhe përsa i përket numrit të viktimave të regjistruara në përplasjet mes milicisë lokale dhe forcave rebele.

Dëshmitarë nga qyteti kanë raportuar për trupa të pajetë që shtrihen rrugëve pasi agresorët sulmuan me bomba dhe snajper banorët.

Luftimet e ashpra kanë vazhduar pavarësisht sulmeve ajrore të kryera në 7 ditët e fundit nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.

Rebelët Houthi, të mbështetur nga trupa besnike ndaj ish-presidentit Ali Abdullah Saleh, kanë avancuar thellë brenda Adenit.

Javën e kaluar ata ishin fare pranë marrjes tërësisht të qytetit, situatë që detyroi presidentin Mansour Hadi të largohej në Arabinë Saudite dhe që prej andej të nisnin sulmet ajrore.

Korrespondenti i BBC në Riad thotë se, nëse të dhënat se tanket e rebelëve po hyjnë në qendër të qytetit-port konfirmohen, atëherë rebelët do të konsolidojnë zaptimin e tyre të zonës më të rëndësishme të Jemenit.

Teksa luftimet vazhdojnë, civilët kanë qenë në qendër të shqetësimeve. Një zëdhënëse e agjencisë Mjekët pa Kufij tha për BBC se spitali i saj në Aden kishte pranuar mbi 500 persona të lënduar nga të gjitha anët e vendit në dy javë konflikt.

Ndërsa zëdhënësi i trupave të koalicionit, gjeneral Ahmed Asir tha se është e vështirë të goditen rebelët në rrugë ajrore.

“Koalicioni ka përdorur të gjitha burimet e informacionit për t’u siguruar se nuk po godet objektivin e gabuar. Ne nuk godasim askënd pa u siguruar më parë se janë rebelë apo trupa besnike të ish-presidentit Saleh”, deklaroi zëdhënësi.

Ndërkohë, luftëtarë të Al Kaedës kanë sulmuar një burg, duke liruar rreth 200 të burgosur, disa prej të cilëve të lidhur me rrjetin terrorist.

Top Channel