Palestinezët, anëtarë të Gjykatës së Hagës

02/04/2015 00:00

Nga 1 prilli palestinezët janë anëtarë me të drejta të plota të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Por nëse do të ketë vërtet një padi ndaj Izraelit, siç mund të pritet, kjo varet nga një sërë faktorësh.

Nga anëtarët e Këshillit qendror të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, OÇP, të mbledhur në fillim të marsit për të diskutuar mbi qëndrimin e mëtejshëm ndaj qeverisë izraelite, presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas mori mandatin për të ndërprerë bashkëpunimin e sigurisë me shtetin hebre.

Ishte e rëndësishme për Mahmoud Abbas që të dinte se ka mbështetjen e një organizate si OÇP, e cila pretendon se flet në emër të të gjithë palestinezëve, thotë “Deutsche Welle”.

Procesin për t’u bërë pjesë e GJND-së së krijuar për të ndjekur genocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, e vuri në lëvizje vetë lideri palestinez, një iniciativë kjo që ngjalli reagimin e ashpër të rivalit të madh.

Shefi i diplomacisë izraelite, Avigdor Lieberman ndaloi transferimin e parave të taksave, që në fakt u takojnë autoriteteve palestineze.

“Nga këndvështrimi izraelit, ky ishte një veprim i njëanshëm. Palestinezët e shohin veten të detyruar të shkojnë në OKB sepse negociatat dypalëshe kanë dështuar gjithmonë”, thotë Margret Johannsen, studiuese e konflikteve në Institutin për Hulumtime të Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut.

Edhe aleati i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, e quan këtë proçedurë si kundërproduktive, ndërsa disa kongresmenë kërkuan reduktimin e fondeve të ndihmave për palestinezët. Sesa do të arrihet në dënime, kjo nuk dihet ende. Megjithatë, ekspertët mendojnë se është me rëndësi të madhe që krimet e luftës të shqyrtohen.

GJND-ja ka kompetencat juridike për të hedhur dritë mbi krime të kryera në territorin palestinez, ose prej palestinezëve që nga 13 qershori. Por nëse në të ardhmen do të ketë me të vërtetë padi kundër ushtarëve izraelitë, politikanëve, apo kundër grupeve të armatosura palestineze është e pasigurt.

Kjo, sepse gjatë hetimeve paraprake do të provohet nëse plotësohen kriteret e nevojshme. Një nga sfidat më të mëdha do të jetë nëse Izraeli ka për të bashkëpunuar me gjykatën dhe ka për të lejuar qasjen në të dhënat e nevojshme, thotë për “Deutsche Welle” Valentina Azarov. Këtë Izraeli e ka përjashtuar.

Top Channel