Eshtrat e viktimave të Rezallës u kthehen familjeve

02/04/2015 00:00

Përparim Hoti, i cili u vra në vitin 1999, ishte vetëm 16 vjeç. Forcat paramilitare serbe e rrëmbyen atë nga duart e nënës së tij, për ta vrarë e më pas për të zhdukur trupin e tij të pajetë. Vite më parë, nëna e tij u nda nga jeta, pa e ditur se ku gjendet trupi i djalit të saj.

Tani, 16 vjet më pas, motra e Përparimit, Bedria pranoi eshtrat e vëllait të saj dhe babait Ukë Hoti, në një ceremoni, ku fshatit Rrezallë iu dorëzuan eshtrat e 28 banorëve, të cilat janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

“Nuk di ç’të them, shpresa nuk na ka humbur kurrë. Ndoshta jo, nuk kemi shpresuar, se të shumtë ishin në luftë, që shkuan pa u kthyer. Nëna më ka vdekur se ia kanë marrë djalin prej dore. Ajo nuk ka mundur të qëndrojë dhe nuk ka shpresuar kurrë. Shpresoj ta kalojmë këtë, të bëjmë varrimin e tyre, se prej 16 vitesh ka kaluar kohë e gjatë”, tha Bedrie Hoti, banore e Rezallës.

Bedrie Hoti ka kujtuar datën 5 Prill të vitit 1999, kur serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës, vetëm 3 vetë shpëtuan gjallë.

Muhamet Rukolli, i cili pranoi eshtrat e të atit, tregon se për një kohë të gjatë i kishin humbur shpresat, se do t’i gjenin ndonjëherë eshtrat e familjarëve të zhdukur.

“Kjo ka qenë një dhimbje e përhershme, pasi e kemi ditur që i kanë ekzekutuar, i kanë vrarë. Dhimbja ka qenë e vazhdueshme. Mirëpo sot është një lehtësim, për arsye se, së paku e dimë që eshtrat e tyre po kthehen në vendin e vet, për çka edhe e kanë dhënë jetën”, tha Muhamet Rukolli, banor nga Rezalla.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu, pasi bëri dorëzimin e eshtrave të 28 personave të zhdukur nga komuna e Skënderajt, tha se javën e ardhshme do të bëhet edhe dorëzimi i disa të tjerëve, që i përkasin komunës së Drenasit.

“Këto janë raste të identifikuara nga Rashka, nga puna mëse njëvjeçare në Rashkë. Zgjatja e kohës së identifikimit është bërë për shkak se kemi pritur të gjitha analizat e ADN-së për t’u bashkuar pjesët. Ju e dini fare mirë, se kanë qenë të përziera në terren, në ekskavator e janë lëvizur dy apo 3 herë gjatë tërë kohës. 28 raste do t’ia dorëzojmë komunës së Skënderajt ndërsa raste të tjera do t’i dorëzojmë javën e ardhshme komunës së Drenasit. Karakteristikë është se, 53 raste të gjetura në Rudnicë, 52 janë të identifikuar me familjarët, kurse një rast nuk është identifikuar dhe shtrohet pyetja, se bëhet fjalë për një mashkull të moshës së shtyrë, i cili mund të ketë qenë një mysafir apo kalimtar rasti, që e kanë strehuar banorët”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Mjekësisë Ligjore.

Edhe Tarja Formisto, nga EULEX-i, tha se do të vazhdojnë ndihmën për gjetjen e personave të zhdukur, por ajo tha se është politika, ajo që duhet të bëjë marrëveshje për të siguruar vendndodhjet, që profesionistët të gjejnë eshtrat e qytetarëve të zhdukur.

Gjatë dorëzimit të eshtrave të të zhdukurve te familjarët, drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu njoftoi se pritet që të gërmohet mes Rashkës dhe Novi Pazarit, në Serbi. Eshtrat e personave të zhdukur, që u dorëzuan të enjten, do të varrosen të dielën në një ceremoni të organizuar në fshatin Rezallë të Skënderajt.

Top Channel