Mark Frroku sërish në qeli, Prokuroria ngre edhe dy akuza të tjera

02/04/2015 00:00

Pas gjashtë ditëve nën arrest shtëpiak, deputeti Mark Frroku është rikhyer sërish në ambientet e paraburgimit në Policinë e Tiranës. Kësaj radhe jo për çështjen “Doshi”, por për dyshimet e vrasjes me paramendim, krim i ndodhur 16 vjet më parë në Belgjikë.

Përveç kësaj vepre penale, avokati mbrojtës tha për mediat se klientit të tij i janë komunikuar nga prokurorët edhe dyshimet e akuzës shqiptare se Frroku mund të ketë pastruar para’ dhe ka refuzuar të deklarojë pasurinë.


Në fakt, Prokuroria e Përgjithshme po tenton të bindë veten mbi dyshimet e saj pas kallzimit të ILDKP-së për pasuritë e pajustifikuara të tij, nëse kanë apo jo lidhje këto asete me përplasjen e vitit 1999 mes bandave rivale në fushën e prostitucionit, sikurse pretendon akuza e Belgjikës.

Avokati Saimir Visha u shpreh: “Nga ana e ILDKP-së është depozituar një kallzim për refuzim deklarimi pasurie. Është një nonsens, sot çuditërisht shikojmë edhe dy vepra penale të tjera që nuk lejohen të shkruhen në urdhërin e ndalimit pa miratimin e Parlamentit.”

Prokuroria e Përgjithshme pohon se dosja e Belgjikës është dërguar menjëherë  në Gjykatën e Lartë, me kërkesën për caktim mase sigurimi personal “arrest me burg”. Kjo çështje do të përfaqësohet nga prokurorët Madrit Kullolli dhe Rovena Gashi. Por, ajo që është ende e paqartë është nëse përveçse çfarë i ka komunikuar në urdhërin e ndalimit, menjëherë sapo siguroi autorizimin e Parlamentit për episodin Belgjika, a do t’i bashkangjitet dosjes edhe versioni hetimor për pasuritë e Frrokut.

Të premten, Gjykata e Lartë, në orën nëntë, do të hedhë për herë të dytë shortin me gogla për të gjetur kolegjin penal që do të shqyrtojë qëndrimin e akuzës që synon arrestin me burg për deputetin Frroku.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk konfirmon nëse do të përfshihen apo jo në këtë short edhe pesë gjyqtarët të cilët të shtunën dhanë verdiktin “arrest shtëpiak” ndaj Mark Frrokut për çështjen “Doshi”.

Top Channel