Organet policore greke janë vënë në kërkim të bashkëshortes së ish-ministrit grek të PASOK-ut Akis Tsohaxopulos, e cila është arratisur nga spitali psikiatrik Dromokaitio gjatë natës së të mërkurës.

Viki Stamati, që kurohej në këtë spital dhe ruhej nga gardianë burgu prej dhjetorit të 2013, pasi kishte shfaqur shqetësime nervore dhe depresion të thellë deri në tentativë vetëvrasjeje, është larguar nga dera e ballkonit të dhomës së saj kur dikush nga jashtë ka shkatërruar drynin.

Të mërkurën gjykata e Athinës refuzoi për të pestën herë kërkesën e saj për lirimin nga burgu, në të cilën përsëri ajo theksonte se ishte nëna e një fëmije të mitur.

Sipas avokatit të saj mbrojtës, pas vendimit, ajo deklaroi: “nuk kam për të vdekur e çmendur dhe e braktisur në qeli, por dua te jem pranë djalit tim”.

Menjëherë Ministria greke e Drejtësisë ka filluar një hetim për të zbuluar vendodhjen e së arratisurës, bashkëpunëtorët e saj dhe deri tani janë arrestuar katër gardianë. Në qelinë e saj është gjetur edhe një letër prej tre faqesh ku përshkruan kushtet e saj të burgimit.

Viki Stamati është burgosur me akuzat se ishte bashkëpunëtorë në pastrimin e parave të bashkëshortit të saj, ish-ministrit Tsohaxopulos, i cili gjithashtu është i dënuar tre vjet më parë me 20 vjet heqje lirie për të njëjtën akuzë dhe për afera korruptive, kur gjatë qeverisë socialiste të Kostas Simitis ka drejtuar prej vitit 1996 deri në vitin 2001 Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai u gjet fajtor për përvetësim fondesh dhe ryshfete të paguara nëpërmjet kompanive “off shore” në lidhje me blerjen e një sistemi raketash ruse për mbrojtje dhe të një nëndetëseje gjermane. Gjyqi i tij ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit shtetëror në Greqi në dekada.

Top Channel