Shumicës i është goditur imazhi

02/04/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Imazhi i shumicës së majtë në qeverisje është goditur rëndë. Ka pësuar një goditje me shembje të shpejtë. Merita për këtë goditje dhe rënie është komplekse. Arkitekti i kësaj goditjeje, (e cila brenda 18 muajsh ia ka dalë të rikthejë dhe mbajë në këmbë një perceptim gjithnjë e më dyshues për pastërtinë dhe sidomos papërlyerjen e qeverisësve), ende nuk dihet.

Sidoqoftë është naiv dhe iluzionist ai që mendon se këtë meritë mund ta ketë ish-kryeministri Berisha apo opozita politike. E keqja e trashëguar, ajo e mbartur dhe sidomos ajo që gjendet dhe shtohet brenda aktualitetit të shoqërisë dhe strukturave politike të saj, janë të gjitha së bashku, bashkarkitektë të kësaj gjendjeje dhe imazhi të shembur për qeverisjen dhe sidomos institucionalizmin në këtë vend.

Por rasti “Doshi – Frroku” po shërben si një “lojë treguese” për gjithë ndotjen dhe kriminalitetin bashkëjetues me politikën në Shqipërinë e quajtur ende të “tranzicionit”. Ndoshta ky rast nuk shpërtheu për qëllimin e plotë identifikues, as për motiv demagogjik si ai për dekriminalizimin! Ky rast nisi si në kohë të hershme, prej prishjes së pazareve individuale, prej cenimit të raporteve dhe distancave mes “të fortëve”, për prishje të status quo-së së të “fortit” në një zonë apo pista biznesi, e më tej, ndoshta për arsye të thella që mund të kenë lidhje me zgjedhjet e 2013-s.

Mirëpo matanë këtij rasti po shfaqen pasueshëm shumë detaje e shembuj që nuk mund të injorohen dhe as të anashkalohen.

Imazhi i kësaj shumice është goditur rëndë. Udhëheqësit e saj, Edi Rama dhe Ilir Meta, nuk janë kurrsesi në pozita të barabarta në raport me rastin “Doshi – Frroku”, por në detyrimin për t’i ikur goditjes apo shembjes së mëtejshme të imazhit, janë të dy në fatin e bashkëprotagonistit.

Mirëpo a po shfaqet ndërgjegjja e tyre për t’i ikur dhe reaguar, siç duhet, kësaj goditjeje shembëse? A e kanë vëmendjen e duhur për të vlerësuar nevojën e menjëhershme të reagimit? A mund të gëzojnë më tej qenien në “pikë të hallit” të opozitës dhe “mbretërimit” si i vjetër dhe agresiv të ish-kryeministrit që i sulmon si kundërshtari që jo vetëm krenohet me informacionet nga brenda, por që edhe i gëzohet imazhit si ish-qeverisësi që nuk ka humbur krejt qeverisjen e institucioneve? A mund të favorizohet kjo shumicë në qeverisje nga dobësia tronditëse e opozitës, duke u dobësuar moralisht dhe papërgjegjshmërisht, çdo ditë edhe vetë?!

Ndërgjegjja e dy liderëve të shumicës së majtë duket se është me relieve të thyera fort në raportet mes njëri-tjetrit. Si e tillë ajo e shton edhe më shumë perceptimin dhe dijeninë publike se kontrasti dhe ndryshimi nuk e arrijnë dot njëjtësimin. Historia politike, dhe sidomos natyrat individuale të politikanëve Rama dhe Meta, janë aq të ndryshme sa edhe pse kanë provuar edhe armiqësinë, edhe tradhtinë, edhe bashkimin edhe pazarin, edhe bashkëqeverisjen, sërish nuk e kanë fituar dot një brendi ngjashmërie. Po a e kanë mundësinë për të reaguar ndryshe, në të njëjtën kohë, të dy?

Rasti “Doshi – Frroku” ka goditur natyrshëm më shumë imazhin, por jo vetëm, edhe politikisht, Ilir Metën. Një goditje, e cila nëse do të kishte formulë tjetër për ndarjen e përfaqësimit të PS – LSI në zgjedhjet e 21 qershorit, do të konfirmohej dukshëm. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që reagimi i qytetarëve të dëshmohet edhe në këto zgjedhje. Dhe bëhet fjalë për një reagim refuzues ndaj këtij imazhi që po goditet dhe vijon të bjerrë pikërisht nga raste dhe episode, të cilat ekspozojnë një mungesë përgjegjësie dhe serioziteti ndaj ligjit dhe teknokracisë së domosdoshme, ndaj hierarkisë së vlerave dhe cilësisë në administratën publike, si dhe në mënyrën se si mishërohet respekti dhe ndërgjegjja ndaj ligjit në pamjen transversale të qeverisjes.

Goditja dhe shembja e imazhit të shumicës, nuk mund të soditen për shkak të gjendjes kritike dhe krizës në të cilën gjendet opozita. Është tejet e gabuar mendësia, sipas së cilës: “sa të jetë Saliu, atje, ne nuk na tund as topi këtu”! Kjo alibi nuk vlen më dhe madje pranimi i mendësisë që lidhet me të, po vlen vetëm për rrënim të mëtejshëm të imazhit të shumicës dhe të shtimit të krizës së besimit publik dhe pse jo, edhe majtist te qeverisja.

Beteja për të konkurruar dhe mbrojtur qeverisjen tënde, duket se nuk vlen si koncept dhe preokupim për gjithë të majtët. Një kontrast mes të angazhuarve dhe të heshturve është shumë i fuqishëm brenda së majtës. Kritikat e Ben Blushit natyrisht që janë të ndryshme nga ato të Erion Braçes, por edhe përthyerjet e standardit të dyfishtë mes PS-së e LSI-së, po përjetohen thellë në publik dhe te masa e heshtur e anëtarësisë së majtistëve.

Logjika e qeverisësve në “rehati”, gjersa opozita është e “zhytur në krizë”, nuk vlen për publikun e aq më tepër për të nesërmen e afërt të kësaj shumice. Madje, strategjia e saj për një zgjerim koalicioni në zgjedhjet e pritshme vendore të 21 qershorit, duket se po realizohet si në metaforën e “obezitetit” politik. Ku i çon gjithë këta aleatë Edi Rama për zgjedhjet vendore? A ka aq shumë pushtet për socialistët, sa të shtojë aleatë dhe të heterogjenizojë gjer në habi, koalicionin e vet qeverisës?! Një strategji e pasqaruar për të vetët, por e paqartë më së shumti për vetë publikun. Hamendësimet natyrisht janë shumë më të ripërmendura, por mos harrojmë se kësi manovrash në politikë, e zhvleftësojnë shpejt artificialitetin apo aleancën pa brendi.

Kësaj shumice i nevojitet një reagim ndalues, për goditjen dhe shembjen e imazhit. Jo duke shumëfishuar antagonizmin dhe konfliktin politik me opozitën, por duke ia dhënë opozitës përgjigjen përmes kërkesave që ajo i arriti si marrëveshje në krizën e njohur të fundvitit të shkuar dhe fillimvitit 2015. Me propagandë opozita ia ka faturuar kësaj shumice imazhin e lidhjes me krimin dhe nevojën e procesit dekriminalizues ia ka adresuar më shumë asaj. Ndërkohë që historia dhe përvoja e përfshirjes së krimit në afera me politikën është më e madhe si parahistori apo histori e mëparshme. Këtë nevojë reagimi dhe lëvizjeje në emër të imazhit të shembur, shumica nuk ka arsye pse ta vonojë. Zgjedhjet dhe lista e kandidatëve për kryetarë bashkie në të gjithë vendin që do të paraqesë ajo, le t’i nënshtrohet kësaj reforme. Kjo është provë, por edhe mishërim vullneti për një provë morale dhe reflektim politik në interes të shëndoshjes së të majtës e jo të trashjes fiktive të saj.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel