“Frroku”, përplasje në Parlament, debate Rama-Topalli

02/04/2015 00:00

Është zbehur kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Ilir Metës dhe ajo është zëvendësuar këtë seancë me kërkesën për largimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi në bindjen e demokratëve shkresa e Interpolit për Frrokun u fsheh me urdhër politik.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh: “Pse nuk arrestoni Didin? A u provua që i kanë thënë me gojë dhe me shkrim që ka ardhur kërkesa dhe e fshehu. Kush i telefonoi zonjës Alla?”

“Nuk mund të shkel ligjin, pavarësisht kostos, ndaj dhe bëmë transparencë. Pavarësisht se e kisha tepër të qartë dimensionin e vrerit që gojët e shthurura do të hidhnin si zakonisht. Sali Berisha, është shumë larg modelit të çunit tënd që ngriti një biznes ku humbën jetën 26 persona dhe nuk doli një herë para drejtësisë. Madje, prokuroria nuk e thirri kurrë”, u përgjigj ministri Tahiri.

Kryeministri Edi Rama, duke folur për rastin “Doshi” dhe “Frroku”, siguroi se vullneti i mazhorancës do të jetë pro çdo kërkese hetimore ndaj çdo deputeti, vullnet që e shprehu në të gjitha rastet që ka marrë fjalën, duke replikuar me ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli, një deputete e qarkut të Shkodrës gjithashtu, e cila tha: “Faik Konica thonte se shqiptarët kanë cilësi të mira, por një bandë maskarenjsh dhe dallaveraxhinjsh kanë kapur pozicionet kyçe të shtetit shqiptar. Çfarë do të thonte sot Konica po të ishte gjallë?”

Përgjigja e kryeministrit Rama ishte kjo: “Jozefinë, e nise me Konicën, e recitove me emocion, aq sa fillova të mendoj që kur të rikonstruktojmë Teatrin e Shkodrës pas stadiumit, mund të kishte edhe një vend për ty aty. Na premtove që do thoje atë që do thonte Konica për ne, por na the atë që thotë Saliu për ne. Por, midis Saliut dhe Konicës ka një ndryshim shumë të madh sepse po të mos kishte njerëz si Saliu kjo histori, nuk do të kishte Konicë. Më përmende Konicën dhe të them të drejtën as Krishtin nuk ta përmend dot se e para nuk jam ai dhe e dyta ty nuk e meriton me të fal Zoti se ti e di çfarë bën.”

Jozefina Topalli:
“Kush e futi në Parlament Mark Frrokun e Tom Doshin?

Edi Rama: “Mark Frroku nuk është deputet i PS-së. Si pjesë e mazhorancës, merrte pjesë në mbledhjet e grupit tonë parlamentar. Dhe e di Jozefinë, se kur është larguar pa kthim nga grupi parlamentar? Kur është marrë me ty, në një mënyrë që në konsideratën tonë nuk ishte dinjitoze. Unë i kam kërkuar të të kërkojë ndjesë publikisht, jo për ty, po për atë që ti përfaqëson si një ish-kryetare e Kuvendit dhe si grua. Sa për Tom Doshin, unë nuk i fshihem të vërtetave të mia. As nuk e mohoj që ka qenë deputet i PS-së, koleg dhe mik. Por, këtu ndryshojmë ne. Në momentin që miqësia cënon punën, unë prish miqësinë, nuk prish punën. Kemi kurajon dhe vendosmërinë të mos i themi të bardhës të zezë kur është përballë nesh dhe t’i themi të zezës të bardhë kur është pranë nesh. Ne i themi të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Kush zgjedh të bardhën është i nderuar, kush zgjedh të zezën është i larguar. Më pas, drejtësia të bëjë punën e saj jo vetëm për këta të dy, por edhe për të gjithë ata të tjerët që do i pasojnë.”

Top Channel