Protestojnë prindërit e autikëve: Më shumë vëmendje për arsimimin e fëmijëve

02/04/2015 00:00

Në ditën ndërkombëtare të autizmit, dhjetëra prindër, së bashku me fëmijët e tyre me çrregullime të spektrit autik, kanë protestuar para Ministrisë së Mirëqenies Sociale për të drejtat, që sipas tyre u mohohen këtyre fëmijëve.

Sipas tyre, shumë nga fëmijët mund të avancojnë në zhvillim, por prindërit thonë se ndihen të pafuqishëm për t’ua garantuar këtë gjë fëmijëve, pasi duhen frekuentuar shkolla apo institucione të tjera arsimore.

Ndonëse drejtues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale janë treguar të gatshëm të njihen me problematikat e prindërve të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, prindërit nuk kanë pranuar, pasi kanë këmbëngulur në një takim me ministrin Veliaj.

Ditën e martë, në orën 11 është vendosur një takim i ministrit me një përfaqësi të prindërve të këtyre fëmijëve.

Top Channel