Ministria: ‘Bankers’ të paguajë dëmet. Jo sulm, por duhen marrë masa

02/04/2015 00:00

Ministria e Energjisë thotë se situata në fushën e Patos-Marinzës po ndiqet nga ekspertë të ministrisë, AKBN-së dhe Albpetrolit, të cilët do të dalin me një raport zyrtar mbi shkaqet teknike të shpërthimit të gazit në pusin e shfrytëzuar nga “Bankers Petroleum”.

“Ne nuk duhet të rendim me deklarata ndëshkuese frikësuese ndaj kompanive dhe industrive, pasi nuk është qëllimi i ministrisë të deklarojë marrjen e masave për kompaninë X apo Y. Për ato raste kur ka përgjegjësi të shkeljes së rregullave të sigurimit teknik vetë kompania duhet të marrë masa, por kjo nuk do të thotë që autoritetet shtetërore nuk do të marrin masa për atë pjesë që cilësohet si shkelje e ligjit”, deklaroi Koli Bele, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë.

Ministria thotë se i ka kërkuar kompanisë që, pas fazës së emergjencës dhe verifikimit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i gazit, të kryejë dëmshpërblimin e banorëve.

Referuar situatës aktuale në fushën e Patos-Marinzës, Bele thotë se ajo është në kontroll. “Jemi të informuar se situata sot është më e qetë. Gjendja në pusin në fjalë po shkon drejt normalizimit ose, thënë në gjuhën teknike, pusi është mbytur”, tha Bele.

Banorët në fshatrat përreth puseve ku operon kompania ‘Bankers Petroleum’, prej vitesh jetojnë me lëkundjet e tokës që janë cilësuar si tërmete nga specialistët, por situata e një dite më parë ishte e paprecedentë.

Top Channel