Ekspozohen “Njollat e urta”

02/04/2015 00:00

Një ekspozitë e veçantë është hapur në Tiranë. Një ekspozitë me fotografi, që përpos këndvështrimit të autorit, stimulon kreativitetin e kujtdo që e shikon, e duke i rikthyer vizitorit fantazinë fëminore. Këto janë “njollat e urta” të Elian Taninit.

“Prej këtyre figurave, në vegjëline time kam mësuar të vizatoj. Është njësoj si ajo loja me retë. Kur dikush shikon një figurë tjetër, ndërsa dikush e lexon si diçka krejt tjetër të veçantë. Janë nga këto figurat që ne i shohim kudo në natyrë, në të gjitha materialet e mundshme, në gurë, në dru, në pllaka. Unë i kam gjetur në të gjitha vendet ku kam lëvizur”, u shpreh Elian Tanini, fotograf.

Autori i ekspozitës i ka fotografuar përgjatë një viti “njollat e urta”, të cilat i ka gjetur në ambientet që e rrethojnë. Një njollë e shikon si ari. Një suvaje të rënë i ka dhënë formën e një zogu, ndërsa në një kuadër, ai ka kompozuar atë që e shikon si dhimbje të ish-Hotel Dajtit.

“E bëra ekspozitën në ish-Ambasadën jugosllave, sepse kam pasur një ëndërr fëmijërie për ta pushtuar, për ta pasur timen. Kjo ndjesi lidhet me fillimin e vizatimeve personale”, shtoi më tej Elian Tanini.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë pasditeve, deri më 8 prill.

Top Channel