Marinzë, i pamundur kthimi në shtëpi. Shpërthimet lanë pas baltë dhe gropa

02/04/2015 00:00

Banorët e fshatit e kanë shumë të vështirë rikthimin në shtëpitë e tyre ditën pas shpërthimeve të gazit, ujit e baltës nga nëntoka e Marinzës.

Banorët e dhjetra shtëpive që u ndodhen brenda zonës së puseve që shpërthyen mëngjesin e së mërkurës janë kthyer vetëm për të patur në ruajtje banesat e tyre, por thonë se nuk mund të jetojnë aty.

Qindra ton baltë argjile ka rënë mbi tokat e shtëpitë e tyre, ndërsa muret e disa banesave janë çarë. Në tokë, në themele dhe në rrugë janë krijuar gropa të mëdha të rrezikshme. Të tmerruar nga situata e krijuar banorët e dëmtuar kërkojnë ndihmën e shtetit, të cilën deri tani nuk e kanë patur.

Prefekti i Fierit dhe kryetari i komunës Kuman, thonë se kompania “Bankers” e ka pranuar që dëmi është shkaktuar për faj të tyre dhe shtëpitë e dëmtuara do të dëmshpërblehen.

Xhevit Bushi, prefekt i Fierit: U ngrit shtabi për të verifikuar dëmet efektive duke marrë shkas nga takimi që bëmë me Ministrin e Energjitikës ku kompania Bankers mori përsipër që të gjitha dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi do të dëmshpërblehen.

Rajmond Plaka, kryetar i komunes Kuman: Janë rreth 70 banesa që janë dëmtuar, por të dëmtuara seriozisht dhe rëndë janë rreth 35 banesa, tre janë të pabanueshme, kurse të tjerat do të vlerësohen nga komisioni i ngritur nga qarku.

Banorët thonë se përveç një autoboti me ujë të pijshëm që ka ardhur paraditen e së enjtes, nuk kanë patur asnjë ndihmë tjetër ekonomike.

Ata e kanë të pamundur të ndërhyjnë për të riparuar dëmet e mëdha të shkaktuara nga ngjarja, ndërsa janë në pritje të reagimit të strukturave shtetërore.

Top Channel