Përkujtohen dëshmorët e 2 prillit, Basha: Nga Shkodra nis vala e protestave

02/04/2015 00:00

2 prilli i këtij viti, kur demokratët përkujtojnë 4 dëshmorët e vrarë në protestën antikomuniste në Shkodër, përkon me vitin e zgjedhjeve vendore.

Por megjithëse demokratët nuk kanë vendosur ende me kë do të përfaqësohen në bashkinë më të rëndësishme të veriut, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha beson se Shkodra do të jetë qyteti frymëzues për të gjithë Shqipërinë për të mbrojtur lirinë, që sipas opozitës kërcënohet nga qeveria Rama-Meta.

“Sot jemi të gjithë shkodranë, kemi të gjithë rreth Shkodrës së përbashkuar për të filluar që këtej pranverën e shpresës, pranverën e lirisë, pranverën e rikthimit të demokracisë në themel të jetës sonë dhe të shporrjes së Ilir Metës dhe Edi Ramës”, tha Basha.

Në Shkodër, kreu i opozitës e barazoi qeverinë e sotme me atë të regjimit komunist, të paktën përsa i përket qëllimit dhe mjeteve, që siç tha Lulzim Basha, këta erdhën në pushtet.

“Qëllimi është sundimi me çdo mjet i shqiptarëve, krimi është aleati i tyre për të sundura, me krimin janë në ortakëri për të sunduar me çdo mjet dhe tani shihet qartë se me krimin janë bërë njësh. Nuk dallohet se ku fillon e mbaron Edi Rama dhe Ilir Meta, e ku fillon krimi i veshur me pushtet”, u shpreh kreu i opozitës.

Kreu i opozitës renditi premtimet që kryeministri Rama ka bërë në Shkodër, por në analizën e opozitës ato rezultojnë veçse mashtrime, ose siç i quajti Lulzim Basha, lista e rrenave.

“Varfëria dhe kriminalizimi janë dy vepra të mëdha, veprat e zeza dhe të pabesa të Edi Ramës në dy vitet e qeverisjes së tyre”, vijoi kryetari i PD-së.

Në Shkodër Lulzim Basha bëri një premtim, nëse shqiptarët do t’i japin besimin për të qeverisur.

“Një të ardhme të re që ka për kryefjalë zhvillimin, sigurinë, ekonominë, dinjitetin është vepër e Partisë Demokratike, është detyrë e opozitës, është detyra e ime dhe ju jap fjalën në këtë shesh që do ta përmbush me sukses para jush dhe të gjithë shqiptarëve”, u zotua Basha.

Partia Demokratike e konsideron 21 qershorin si një referendum popullor për të rrëzuar qeverinë, të cilën zoti Basha e quan “qeveria e aleancës së krimit dhe e varfërisë”.

Top Channel