(Para)marrëveshje për programin bërthamor iranian

02/04/2015 00:00

Bisedimet maratonë në Zvicër mes gjashtë fuqive të mëdha dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit, përfunduan me një marrëveshje kornizë që përcakton rrugën që do të ndjekin palët deri më 31 qershor, kur është afati përfundimtar për gjetjen e një ujdie të detajuar dhe përfundimtare.

Marrëveshja u komunikua bashkarisht prej Ministrit të Jashtëm iranian, Javad Zarif dhe kryediplomates së Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Kjo e fundit luajti rolin e koordinantores mes fuqive të mëdha në bisedimet 8-ditore të zhvilluara në Lozanë.

“Kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe zgjidhjet për pikat kryesore. Ramë dakort gjithashtu edhe për një plan të përbashkët mirëkuptimi. Në bazë të kësaj ujdie, kapaciteti dhe aftësia e Iranit për të pasuruar uraniumin do të kufizohet dhe një draft më i detajuar do të jetë gati më 30 qershor”, tha Mogherini.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Barak Obama vlerësoi fuqitë botërore që ranë dakord mbi kushtet e përgjithshme të marrëveshjes.

“Unë jam i bindur se kjo kornize do të na çojë drejt vendosjes së një pakti përfundimtar, gjë e cila do të bëjë çdo vend të botës të ndihet më i sigurt. Në qoftë se Irani do mundohet të shkelë parimet e vendosura, ne do ta marrim vesh shumë shpejt. Por nëse Kongresi amerikan e dënon këtë marrëveshje, jo të bazuar në analiza reale apo alternative të tjera të arsyeshme, atëherë vendi ynë do të fajësohet për dështimin e diplomacisë. Për sa i përket Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili i ka bërë rezistencë marrëveshjes bërthamore, ai thjesht do të kuptojë që kjo është rruga e duhur që Teherani nuk do të ndërtojë asnjë armë të rrezikshme”, tha Obama.  

Irani mohon akuzat e perëndimit se po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore dhe në bisedime u fut në përpjekje për të hequr dhe lehtësuar barrën e sanksioneve që ka topitur ekonominë vendase prej disa vitesh.

Lajmi i arritjes së një “parakontrate” është konfirmuar më herët nga kryediplomati iranian. “Gjetëm zgjidhjen. Gati të punojmë menjëherë për draft-marrëveshjen”, shkruajti ai shkurtimisht në rrjetet sociale.

Pas kësaj kryediplomatët protagonistë kryesorë në bisedimet maratonë komentuan njëri pas tjetrit. “Marrëveshje për shtegun që do ndjekim deri në marrëveshjen finale”, deklaroi ministri i jashtëm gjerman, po në rrjetet sociale.

“Një ditë e madhe. Së shpejti sërish në punë për marrëveshjen përfundimtare”, shkruante Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Me këto deklarata në rrjetet sociale të gjithë dolën të kënaqur nga marrëveshja, përveç njërit. “Çdo marrëveshje duhet të reduktojë aftësitë bërthamore të Iranit dhe të parandalojë terrorizmin dhe agresivitetin e tij”, shkruante kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Top Channel