“Fiks Fare”, rrëfimi i ish-bashkëpunëtorit të drejtësisë: Ndihem i kërcënuar

02/04/2015 00:00

6 vjet pasi ndihmoi Prokurorinë për të zbardhur masakrën e’97-ës në Cërrik, doli nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve dhe ndihet i kërcënuar

41-vjeçari B.B. kërkon ndihmë për të mbrojtur jetën e tij dhe të familjes, pasi i kanë kaluar të gjitha afatet e ankimimit për daljen nga programi i mbrojtjes nga shteti.

Ai ka qenë i dënuar si anëtar i bandës së Cërrikut  dhe ka ndihmuar drejtësinë shqiptare në rigjykimin e masakrës. Për 6 vjet ishte pjesë e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve.

Bashkëpunimin me Prokurorinë shqiptare e filloi në janar të vitit 2008, kur ka dëshmuar në sallën e gjyqit dhe ka drejtuar gishtin mbi të pandehurit si organizatorë të masakrës së Cërrikut, madje ka treguar për rolin që ka luajtur secili prej të akuzuareve në atë ngjarje.

Ai ka rrëfyer çdo detaj të 23 majit 1997 në Cërrik, pasi ka marrë garancinë nga Prokuroria për mbrojtjen e jetës së tij.

Pas kryerjes së dënimit, 41-vjeçari B.B. doli nga burgu dhe filloi një jetë në Tiranë, larg vendbanimit të tij të mëparshëm, Cërrikut, por me të njëjtin identiet.

Në Tiranë krijoi familjen e re dhe jetonte në një shtëpi që ia paguante shteti, madje merrte dhe një pagë mujore.

Sot ai ka dalë nga programi i mbrotjes së dëshmitarëve dhe për këtë ai ndihet i rrezikuar.

Kërkon ndihmë, kërkon që komisioni që ka marrë vendimin për nxjerrjen nga ky program ta shqyrtojë edhe një herë rastin e tij.

Sot janë 6 persona në burg për masakrën e Cërrikut, dy me burgim të përjetshëm. Midis të dënuarve është edhe vëllai i këtij bashkëpunëtori të drejtësisë.

Në qytetin e tij, Cërrik nuk kthehet dot më, pasi me dëshminë e tij në procesin gjyqësor ka ndihmuar që të dënohen të afërmit e familjes.

“Kur isha në burg dhe fillova të bashkëpunoja me Prokurorinë, më premtuan se do të më çonin jashtë shtetit dhe do të më ndryshonin edhe emrin, por asgjë nuk ndodhi”, tregon B.B. për premtimet që i ishin bërë kur kishte vendosur të bashkëpunonte me Prokurorinë.

Tregon se çdo vit firmoste një kontratë me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, por në dhjetor të vitit të kaluar e njoftuan për ndërprerjen e kontratës. Edhe pse e di se pas publikimit të intervistës mund të rikthehet në burg, pasi mund të ketë shkelur një nga pikat e kontratës që ka patur me shtetin, tregon se ndihet më i sigurt në burg se sa jashtë tij.

Masakra e Cërrikut

Më 22 maj 1997, persona të armatosur kishin sulmuar postën e policisë së qytetit të Cërrikut, duke larguar prej andej punonjësit. Të nesërmen, për të rivendosur rendin dhe qetësinë, efektivë të Komisariatit Elbasan në bashkëpunim me forcat speciale të Gardës së Republikës janë nisur drejt qytezës, ku në hyrje të saj janë qëlluar me armë.

Për pasojë, kanë gjetur vdekjen 6 gardistë dhe janë plagosur 16 të tjerë. Në bankën e të akuzuarve për masakrën e Cërrikut u ulën 9 persona. Për 3 prej tyre, Gjykata e Apelit u dha pafajësinë dhe 6 aktualisht vuajnë dënimin në burg, dy prej të cilëve me burgim të përjetshëm.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel