Kuvend, miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Merita Bejtja, Inspektorja e re e BSH

02/04/2015 00:00

Pas diskutimeve të gjata në seancën e kësaj të enjteje, Kuvendi ka miratuar projektligjin për qeverisjen vendore me 85 vota pro dhe 23 kundër.

Projektligji parashikon heqjen e termit “komunë” dhe “këshill komune”, ndërsa e përcakton si parim detyrues konsultimin midis organeve të qeverisjes vendore dhe institucioneve qendrore për çdo projekt.

Ndërkohë, Partia Demokratike doli kundër miratimit të Kodit Zgjedhor. Zoti Halimi tha se ky ligj u kalua me retorikë boshe.

Megjithatë, mazhoranca miratoi ndryshimet në projektligjin për Kodin Zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, me 86 vota pro dhe 20 kundër.

Në seancën e sotme është zgjedhur edhe Inspektorja e re e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë. Ajo është  Merita Bejtja, kandidatura e së cilës kaloi me 83 vota pro, 22 kundër dhe 1 abstenim. Ndërkohë kandidatura tjetër, Everst Pusta mori vetëm 22 vota pro, ndërsa 69 ishin kundër dhe 13 abstenuan.

Gjithashtu në Kuvend ka marrë votat e mjaftueshme, 87 pro edhe 20 kundër, edhe amendamenti i propozuar nga Aleanca e Grave Deputete, i cili ka të bëjë me refuzimin e listës së partive për kandidatët e Këshillit vendor në rastet kur nuk përmbushin kriterin gjinor 50 me 50.

Top Channel