Gjykata e Lartë: “Arrest me burg” për Mark Frrokun

03/04/2015 00:00

Gjykata e Lartë vendosi të premten masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për deputetin Mark Frroku.

Pas dhënies së vendimit, avokatët mbrojtës u shprehën për mediat se janë të befasuar nga dhënia e kësaj mase sigurie. “Arrestimi i klientit tonë është i paligjshëm, pasi për të nuk ka asnjë provë”, thanë avokatët mbrojtës.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak, sipas Prokurorisë, të ruajtjes së sekretit hetimor.

Në këtë seancë, organi i akuzës paraqiti akte, me të cilat avokatët mbrojtës të Frrokut nuk ishin njohur më parë, ndersa për deputetin u kërkua masa e sigurise “arrest me burg”.

Përveç akuzës për vrasje që bëhet nga drejtësia e shtetit belg, ndaj Frrokut u ngritën dy ditë më parë edhe dy akuza të reja; njëra për pastrim parash dhe tjetra për refuzim të deklarimit të pasurisë.

Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një pasuri prej rreth 3 milionë dollarësh e zotit Frroku.

Avokati i deputetit, Saimir Vishaj, i cilësoi absurde akuzat në fjalë, të ngritura pas një kallëzimi të ILDKP-së, si dhe urdhrin për ndalimin e klientit të tij, për të cilin tha se nuk ka asnjë rrezik që të arratiset.

Top Channel