Kukës, akset rrugore të dëmtuara, kaos në qarkullim

03/04/2015 00:00

Dy akse rrugore nacionale në Qarkun e Kukësit, prej më shumë se 4 ditësh po përballen me probleme të shumta, duke vënë në rrezik edhe jetën e përshkuesve të rrugës.

Konkretisht, për shkak të rrëshqitjes masive të dherave, qarkullimi i mjeteve has vështirësi në akset Krumë-Qafë Prush dhe Kukës-Peshkopi.

Në aksin Krumë-Qafë Prush, tek Bregu i Vlanës, vazhdojnë rrëshqitjet poshtë rrugës dhe si pasojë ka edhe shkarje e shkëputje të saj.

Kalimi në këtë segment kryhet në një korsi, por kjo situatë mund të çojë drejt bllokimit të rrugës për qarkullimin e automjeteve, sidmos atyre të tonazhit të mesëm dhe atij të rëndë.

Në këtë segment janë hedhur materiale inerte për të mbushur boshllëqet e krijuara, por edhe kjo rrezikon që të shkaktojë rrëshqitjen totale të masivit, si rrjedhojë e rritjes së ngarkesës.

Ndërkohë, në aksin Kukës-Peshkopi, konkretisht në segmentin Domaj-Bushtricë, ka patur një çarje të rrugës dhe kjo ka ardhur si pasojë e rrëshqitjes masive të skarpatës.

Deri tani nuk dihet se cilat do të jenë masat që do të merren për riparimin e dëmeve, apo nëse rruga do të bllokohet. Segmenti është çarë në një gjatësi prej më shumë se 100 metrash.

Top Channel