Britania përgjonte Argjentinën për ishujt Falkland

03/04/2015 00:00

Dokumente të publikuara nga ish-spiuni amerikan Edward Snowden tregojnë se Britania e Madhe ka përgjuar për vite të tëra qeverinë argjentinase.

Sipas dokumentave, disa prej të cilave janë publikuar në mediat argjentinase, Britania ishte e shqetësuar se Argjentina mund të ndërmerrte një tjetër nismë për të rimarrë ishujt Falkland, për të cilët dy vendet zhvilluan një luftë në vitin 1982.

Muajin e kaluar, qeveria britanike njoftoi se po rriste praninë e saj ushtarake në ishuj, pas një ndërhyrjeje nga Rusia. Snowden thotë se agjentët britanikë kanë spiunuar intensivisht argjentinasit nga viti 2006 në 2011.

Korrespondenti i BBC në Amerikën e Jugut, Wyre Davies thotë se për momentin nuk ka pasur një reagim as nga pala argjentinase dhe as ajo britanike lidhur me këto të dhëna, që kanë marrë dhenë në agjencitë lokale të lajmeve.

Materialet sugjerojnë se Britania nisi një shkallë të gjerë operacionale ku mund të jenë përfshirë viruse kompjuterike, propagandë e rremë dhe mbledhje informacionesh me qëllim diskretitimin e qeverisë argjentinase.

Publikimi i dokumenteve vjen kur palët ndodhen pranë 33-vjetorit të nisjes së luftës, në të cilën humbën jetën 900 ushtarakë.

Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon deklaroi muajin e kaluar se Britania do të shpenzojë 280 milionë stërlina në 10 vitet e ardhshme për rinovimin dhe përforcimin e pranisë së saj ushtarake në ishujt Falkland, për t’u bërë ballë kërcënimeve të mundshme që mund të vijnë.

Top Channel