Kryeministri takon Topin: Do ndërtojmë ura bashkëpunimi

03/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi, në
takimin e tyre të parë për koalicionin parazgjedhor të lokaleve të 21
qershorit, hedhin piketat e para të bashkëpunimit.

Pavarësisht se në takimin prej 50 minutash nuk është arritur një marrëveshje konkrete, kanalet e komunikimit mbeten të hapura.

Top Channel: Zoti Rama, a arritët një marrëveshje me FRD-në?

Kryeministri Rama: Jo, nuk kemi arritur një marrëveshje. Kemi patur një bisedë paraprake konstruktive për të kuptuar nëse ka hapësirë që të ndërtojmë një urë bashkëpunimi, edhe pse ne jemi shumë të vetëdijshëm, se ky është një rast specifik nëse bëhet fjalë për një parti të pozicionuar qartazi, jo vetëm në spektrin djathtë, por edhe në një pozicion opozitar. Sidoqoftë, ne besojmë se ka hapësirë, pasi këtu bëhet fjalë për zgjedhjet vendore. Ka qenë një bisedë e hapur, një bisedë e drejtpërdrejtë, por kemi mundur të identifikojmë pikat të përbashkëta dhe shqetësime të përbashkëta, të cilat kanë bëjnë nga njëra anë me domosdoshmërinë për të ndërtuar një politikë konstruktive, në rrafshin e reformave dhe të qasjeve ndaj atyre reformave që kanë bëjnë me shtetformimin. Gjithçka mbetet për t’u parë, në ditët në vijim”.

Ndërsa, kreu i FRD-së pas takimit nënvizoi nevojën e një koalicioni të gjerë, duke e vënë theksin se FRD-ja u qëndron besnike parimeve të saj.

“Shtruam çështjet kryesore që kanë të bëjnë me parimet, çështjet që lidhen me sistemin zgjedhor, shumë gjëra që ne gjejmë momente, pika të përbashkëta që mund të bashkëpunojnë. Këto janë gjëra parimore, pjesa tjetër e bashkëpunimit për zgjedhjet e pushtetit vendor, është një çështje që do të vazhdojë të negociohet. Ka predispozicion nga të dyja palët, për të diskutuar për çështje të karakterit parimor, jo për çështje të interesave të ngushta. Nuk jemi parti e interesave të ngushta, jemi parti serioze, që kërkojmë që të predominojë çështja e principeve në politikë. Ne jemi për të ndërtuar koalicione të gjera, mbi bazën e parimeve dhe vazhdojmë të jemi në oponencë, përsa i përket politikës së madhe dhe natyrisht që në funksion të zgjedhjeve të pushtetit vendor, që janë zgjedhje administrative nuk ka përse të mos krijohen premisa për koalicione më të gjera, që janë koalicione qytetare, në funksion të qytëtarëve”, tha Topi.

Zoti Topi tha se në ditët në vijim do të ketë takime të tjera me Ramën, i cili në përfundim të takimit kanë qëndruar në ambientet e jashtme të hotelit ‘Sheraton’ me Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën duke bashkëbiseduar.

Top Channel