Kosovë, Jahjaga mohon dekretimin e kryeprokurorit

03/04/2015 00:00

Zyra e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mohuar informatën e dhënë nga këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa se dekretimi i kryeprokurorit të shtetit do të bëhet këtë të premte.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu tha për Top Channel se në emër të presidentes Jahjaga flasin vetëm këshilltarët e saj të emëruar dhe autorizuar nga ajo vetë dhe jo zyrtarë të tjerë nga jashtë kabinetit të saj.

Lidhur me dekretimin e kryeprokurorit Vllahiu tha se presidentja ende po shqyrton propozimin e pranuar në zyrën saj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe opinioni publik do të njoftohet me vendimin e saj nga vetë zyra e saj.

Këshilli Prokurorial nominoi Aleksandër Lumezin për kryeprokuror të shtetit më datë 20 shkurt dhe presidentja, në një afat prej 60 ditësh duhet të vendosë për dekretimin e tij.

Çështja është zvarritur pasi Gjykata Kushtetuese ka kërkuar të gjitha materialet nga Këshilli në lidhje me nominimin për kryeprokuror.

Nëpërmjet adresës elektronike, ky institucion njofton se është ende duke e shqyrtuar këtë lëndë dhe vendimi do të merret në përputhje me kushtetutën, ligjin dhe rregulloren e punës së tij.

Top Channel