Ambasadori Donald Lu u përgjigjet pyetjeve në rrjetin social “Facebook”

03/04/2015 00:00

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu përmes “Facebook”-ut ka zhvilluar një bashkëbisedim pyetje-përgjigje me qytetarët shqiptarë në rubrikën “Pyet Ambasadorin”.

I pyetur për procesin e dekriminalizimit dhe veprimet e deritanishme të Prokurorisë së Përgjithshme, ambasadori Lu dha këtë përgjigje:

Ajo që ne vlerësojmë më shumë nuk është retorika, por veprimet që janë ndërmarrë nga Prokuroria e Përgjithshme, Parlamenti, drejtuesit e partive dhe aktorë të tjerë. Është e rëndësishme që të vazhdohet me procesin e dekriminalizimit, i cili nisi me marrëveshjen ndërmjet partive në dhjetor të 2014-ës. Ne vazhdojmë të nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Ne përshendësim veprimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të ngritur akuza ndaj dy deputetëve.”

Ambasadori Lu është pyetur gjithashtu nëse është e ligjshme të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit.

“Më lejoni t’ju shpjegoj përse ne besojmë që është me rëndësi për Shqipërinë krijimi Byrosë Kombëtare të Hetimit. Së pari ka nevojë për një agjenci ligjzbatuese e cila duhet të avancojë kapacitet e hetimit.  Së dyti është nevoja për një agjenci e cila do të hetojë edhe zyrtarë të niveleve të larta.  Ekipi ynë nga FBI-ja amerikane ishte këtu për të dikskutuar se si mund të ndihmojnë në krijimin e BKH-s në përpjekjen e saj për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.  Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe institucionet e drejtësisë duhet të vijojnë me përmbushjen e përgjegjësive të tyre në zbatueshmërinë e ligjit”, u përgjigj ambasadori amerikan.

Nga ambasadori Lu është kërkuar edhe një përgjigje për risinë që sjell në garën e Tiranës kandidimi si i pavarur i Gjergj Bojaxhiut.

“Unë mendoj se këto zgjedhje vendore janë të rëndësishme. Unë nuk dua të komentoj për kandidatë të caktuar sot në këtë bisedë, por ne jemi duke parë procesin e kandidimit me shumë kujdes. Atje ku ne shohim emra të personave që ne besojmë që mund të jenë të korruptuar ose të lidhur me aktivitetete kriminale ne ua themi këtë krerëve të partive. Shqiptarët duhet të kenë pritshmëri të larta nga përfaqësuesit e tyre politikë dhe ata duhet të jenë të ndershëm kur besojnë se këta kandidatë janë kriminelë. Ne besojmë se të gjithë kandidatët në zgjedhjet vendore duhet të përmbushin standardet më të larta etike. Asnjë kandidat nuk duhet të ketë lidhje me çështje penale ose kriminale”, tha Lu.

Top Channel e pyeti ambasadorin nëse gjatë takimeve me zyrtarë të opozitës i ka sugjeruar ndonjë emër deputeti të PD-së i cili ka probleme dhe duhet larguar në kuadër të dekriminalizimit?

Por kjo pyetje nuk mori përgjigje. Me heshtje ambasadori i është përgjigjur edhe pyetjes së një qytetari, nëse ka ndihmuar ambasada amerikane në hartimin e një liste të deputetëve që kanë ose kanë patur probleme me drejtësinë.

Top Channel