Guardiola: Jemi në pozitë të vështirë

03/04/2015 00:00

Josep Guardiola ka pranuar se dëmtimet e shumta në skuadër e kanë vënë në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë në prag të sfidës së të shtunës, që Bayern Munchen do të luajë ndaj Borussia Dortmund (18:30).

“Jemi në fazën më të rëndësishme të sezonit, me ndeshje të vështira në kampionat, kupë dhe Champions. Në prill vendoset gjithçka, është muaji kur çdo ndeshje është finale”, theksoi trajneri i skuadrës bavareze.

Bayern Munchen do e përballojë supersfidën ndaj Borussia Dortmund me mungesat e Javi Martínez, Franck Ribéry, Arjen Robben dhe David Alaba. Gjithashtu, në dyshim për këtë ndeshje është edhe Holger Badstuber. “Pa këta lojtarë, nuk jemi edhe aq të mirë”, tha Guardiola.

Në lidhje me ndeshjen, trajneri spanjoll nënvizoi se do të jetë një “ndeshje e mrekullueshme” përballë një kundërshtari me “shumë cilësi”, edhe pse jo me një renditje të mirë. Borussia renditet në vend të dhjetë të klasifikimit të Bundesligës, ndërsa Bayern është i konsoliduar në kryesim me 10 pikë avantazh nga vendi i dytë.

Top Channel