Arben Frroku shpallet i pafajshëm, Gjykata rrëzon provat e Prokurorisë

03/04/2015 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, biznesmenin e akuzuar nga Prokuroria si autor i vrasjes së kryekomisar, Dritan Lamaj, ngjarje ndodhur më 24 shkurt 2013.

I mbajtur nën gjykim për 13 muaj për vrasje në rrethana cilësuese të shefit të policisë, gjykata pranoi vetëm një pretendim të prokurorisë, që Frroku dhe Lamaj kishin patur konflikte me njëri-tjetrin për shkak të detyrës së këtij të fundit.

Ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të analizojë pas këtij vendimi punën e saj hetimore nëse provat kanë qenë të servirura qëllimisht, si edhe dëshmitari me identitet të ndryshuar, Arben Ndoka. Kjo pasi sipas gjykatës, nga analizimi i pamjeve filmike që shfaqin vrasjen e Lamajt, dhe njerëzit që ishin aty të pranishëm, dëshmitari i mbrojtur Arben Ndoka shfaqet në vendgjarje 4 minuta pas krimit.

“Identifikimi i Arben Frrokut si një nga personat që ndodhet në automjetin me të cilën po largoheshin autorët e veprës penale menjëherë pas ngjarjes nga dëshmitari Arben Ndoka, është një provë e vetme, për më tepër vërtetësia e saj vihet në dyshim”, thuhet në argumentimin e gjykatës.

Dëshmitari thotë që pa Arben Frrokun teksa po kalonte rrugën, por në pamjet filmike të kamerave të sigurisë kjo gjë nuk provohet.

“Rezulton që nga pamjet filmike, nuk rezulton vërtetësia e thënieve të dëshmitarit”, shtohet më tej në argumentim.

E njëjta gjë edhe në çastet kur marrin trupin e pajetë të kryekomisarit, Dritan Lamaj.

Gjykata replikoi edhe me pretendimin tjetër të Prokurorisë pasi qelizat telefonike tregojnë që në çastin e krimit Arben Frroku ndodhej në Sauk.

“Akuza duke e konsideruar plotësisht të provuar se i pandehuri është njëri prej autorëve të vrasjes, këtë fakt e shpjegon me pretendimin se i pandehuri ka lënë të dy telefonat e tij para ngjarjes në automjetin e drejtuar nga shtetasi Jak Jaku dhe pas vrasjes, me një mjet tjetër ka udhëtuar me të njëjtën trajektore”, shton gjykata.

Gjithashtu gjykata kundërshtoi Prokurorinë edhe për plotësimin e faktorëve qitës në rrobat e të dyshuarit

“Në rastin konkret në pallton e të pandehurit ku janë gjetur elementët kimikë, sipas ekspertit lënda e gjetur nuk është marrë në mënyrën e duhur dhe nëse do të merrej në formën e kërkuar atëherë do të mund të konkludohej nëse do ishte i pranishëm apo jo elementi antimonium në ekspertizë”, lexohet në vendimin e gjykatës.

Mbas këtij vendimi, ndërsa gjykata shpalli pafajësi përballë  burgut të përjetshëm, që kërkon prokuroria, dy janë dilemat, ose kemi një gjykatë të Krimeve të Rënda që nuk lexon provat, ose kemi një Prokurori që fabrikon prova.

Pas këtij vendimi, rreth orës 18:00, Arben Frroku la qelinë e burgut dhe u kthye në shtëpi. Ai nuk bëri asnjë koment për mediat, ndërsa jashtë u prit me duartrokitje.

Top Channel