Piloti shpejtoi rënien e avionit. Vazhdon puna për identifikimin e viktimave

03/04/2015 00:00

150 kampione ADN-je janë marrë nga zona e rrëzimit të avionit të “Germanwings” në Alpet franceze. Identifikimi i viktimave të tragjedisë është shndërruar në një sfidë të vërtetë për autoritetet vendase.

Asnjë trup nuk është gjetur i plotë dhe procesi duket i destinuar të zgjatet në kohë. Ekipet e kërkimit kanë zbuluar në vendin e përplasjes edhe 40 telefona celularë, që të gjithë shumë të dëmtuar.

Vëmendja tani po përqendrohet te kutia e dytë e zezë, e rikuperuar një ditë më parë, apo regjistruesit të të dhënave. Edhe pse nuk është në gjendje të mirë, zyrtarët shpresojnë të përftojnë prej saj informacione të vyera mbi episodin fatkeq, që u kushtoi jetën 144 pasagjerëve e 5 anëtarëve të ekuipazhit, pa llogaritur njeriun që besohet se e shkaktoi këtë dramë, pilotin e dytë Andreas Lubitz.

Të enjten u mësua se 27-vjeçari kishte bërë në internet kërkime mbi dyet e kabinave të pilotëve në avionë dhe metodat e vetëvrasjes.

“Historiku i kërkimeve në kompjuterin e tij personal nuk ishte fshirë. Dhe sidomos lëvizjet e bëra në datat 16 deri më 23 mars i rikuperuam të gjitha”, tha Ralf Herrenbruck, prokuror gjerman.

Kompania mëmë e “Germanwings”, “Lufthansa” përballet me pyetje të ashpra, përse u lejua Lubitz të fluturonte pavarësisht të dhënave jo të mira të shëndetit mendor.

Ai ishte diagnostikuar si person me tendenca vetëvrasëse disa vite përpara se të merrte komandimin e një avioni dhe vetë drejtuesit e gjigantit gjerman të qiejve i kishte informuar për sëmundjen e tij në 2009-n, në periudhën kur ndërpreu stërvitjen, e për disa muaj iu nënshtrua trajtimit mjekësor.

Top Channel