Mbijetesë duke shitur pasuritë. Sa pak parà përfiton shteti…

03/04/2015 00:00

Vitin e kaluar eksportet e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj nga Shqipëria ishin 64.8 miliardë lekë, ose gati sa 5 për qind e prodhimit kombëtar. Prej disa vitesh, shfrytëzimi dhe shitja e burimeve natyrore është shndërruar në zërin dominues të eksporteve shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Doganave, vetëm në 5 vitet e fundit kompanitë private, të cilat shfrytëzojnë naftën dhe mineralet e vendit, kanë eksportuar jashtë 300 miliardë lekë. Specifikisht për naftën, eksportet në vlerë për periudhën 2010-2014 kanë qënë mbi 270 miliardë lekë, ose sa 19 për qind e ekonomisë kombëtare.

Sipas çdo standardi krahasimor me këto shifra, shitja e pasurive kombëtare është aktualisht biznesi më i madh në Shqipëri. Por cilat janë përfitimet që kanë marrë qytetarët, pronarët e vërtetë të këtyre pasurive, nga biznesi gjigant me shumë miliarda?

Shqipëria nisi të mbledhë të ardhura në buxhet nga konçesionarët e naftës në vitin 2008, kur Qeveria vendosi të rrisë rentën minerare nga 2 në 10 për qind të prodhimit bruto. Sipas të dhënave zyrtare nga ai vit, në total buxheti ka arkëtuar nga kjo taksë edhe detyrimet e tjera të posaçme mbi kompanitë konçesionare, rreth 33 miliardë lekë, ose sa 11 për qind e eksporteve. Por edhe te kjo shifër, një pjesë është paguar nga kompania publike Albpetrol.

Renta është taksa e vetme e posaçme, që bizneset, të cilat shfrytëzojnë pasuritë natyrore, derdhin në buxhetin e shtetit. Kjo pasi, edhe për këtë vit industria gjigante nuk do të paguajë tatim mbi fitimin, sepse koncesionarët deklarojnë se ende nuk i kanë rikuperuar investimet.

Shqipëria është e etur për investime të huaja. Nafta është një industri, e cila ka tërhequr një pjesë të mirë të tyre, madje duke përmirësuar edhe imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve ndërkombëtarë. Por përballë këtyre shifrave, pyetja që lind është: A po përjeton Shqipëria një situatë, ku fitimet e pasurive të saj natyrore po privatizohen, ndërsa kostot po u hidhen qytetarëve? Dhe, a janë institucionet duke mbrojtur interesat e publikut, si pronar i këtyre pasurive?

Prej vitesh, kjo ka qenë një çështje e debatuar gjerësisht, jo vetëm mes ekonomistëve, por edhe politikës. Pak kohë më parë, një ish-ministër i Energjetikës deklaroi publikisht se Qeveria nuk mund t’i kontrollojë dot llogaritë e koncesionarëve, e rrjedhimisht edhe pjesën që duhet të marrin qytetarët.

Por teksa debati vazhdon, e sigurt është se pasuritë natyrore të vendit po shfrytëzohen me ritme të shpejta. Sipas ekspertëve, shpesh me teknika të dyshimta, të cilat shtojnë fitimet që privatizohen dhe rëndojnë kostot mbi qytetarët, në disa raste madje duke hedhur mbi ta dëme të jashtëzakonshme.

Top Channel