Kujtohet filantropi i madh Vangjel Zhapa

03/04/2015 00:00

Vangjel Zhapa u lind në vitin 1800 në Labovën e Madhe, në Gjirokastër, dhe është një ndër pionierët e Filnatropisë. Ai hapi mbi 127 shkolla shqipe dhe është një ndër financuesit e Abetares së parë shqipe të Naum Veqilharxhit.

“Vangjel Zhapa investoi në vendlindjen e tij. Bëri kishën, shkollën dykatëshe, krojet, qendrën shëndetësore, bëri rrugët, u dha bursa fëmijëve në shkollat më të mira të Europës, pagoi të varfërit. 50 familje labovite trajtoheshin me 250 napolona flori ndihmë vjetore”, tha Thanas Meksi, kreu i shoqatës AK Odria.

Por, ky njeri i arsimuar dhe mjaft i suksesshëm në biznes rilindi edhe Lojërat Olimpike në Greqi. Ekziston një kërkesë e Vangjel Zhapës, më 13 Korrik 1856, që merrte përsipër pagesën e të gjitha shpenzimeve për rilindjen e olimpizmit.

Ai vuri në dispozicion të organizatorëve, 400 aksione të shoqërisë së tij të lundrimit në Rumani dhe 3000 napolona flori.

“Ka vend të diskutohet se këto Lojëra para se të ishin greke mund të jenë edhe ilire. Të gjithë e dinë se ai ishte shqiptar, dhe kur erdhi puna për ta vendosur në krye të lëvizjes olimpike botërore, që me të vërtetë e meritoi, jo vetëm me mend por edhe me financat e tij, në Greqi e tradhëtuan dhe gjetën francezin Baron Pierre de Coubertin. Lojërat Olimpike të rilindura janë 37 vjet më të vjetra sesa konventohen dhe datojnë në vitin 1859, të vetmet lojëra që ai arriti t’i shohë vetë”, tha Lluka Heqimi.

Në Labovë janë edhe sot shtëpitë e Vangjel Zhapës, krojet, kisha e Papandisë, si dhe gjimnazi i ndërtuar prej tij.

Top Channel