Tiranë, shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së drogës, 9 në pranga

03/04/2015 00:00

Policia e Tiranës ka shkatërruar një grup kriminal duke prangosur nëntë pjesëtarë të tij, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në operacionin e koduar “Qiraja” në pranga kanë përfunduar shtetasit: Ilia Elezi, Ligor Paloshi, Armand Dangëllia, Myzejen Nuzi, Feliks Dangëllia, Megi Marknori, Gentian Hoxha, Gjergj B. dhe Glendi Spaho.

Policia njoftoi se këta dhe dy persona të tjerë, pjesëtarë të grupit që janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre, ushtronin aktivitetin e tyre kriminal prej një viti.

Në deklaratën e policisë thuhet se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një sasi prej 300 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe një sasi metadoni në dy automjete, gjithashtu të sekuestruara.

“Veprimtaria kriminale e grupit ushtrohej kryesisht në Tiranë, periferitë e Tiranës, Durrës dhe Vlorë”, deklaron policia.

Ndaj të ndaluarve gjykata ka vendosur më parë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Top Channel