Partia Demokratike Shqiptare në opozitë kërkon nga Ministria e Arsimit, që të tërheqë konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2015-2016, si dhe të përpilojë konkurs të ri, ku do të merren parasysh kërkesat e Këshillit të prindërve shqiptarë në shkollat e mesme të Shkupit.

Sekretari i Përgjithshëm i PDSH-së, Azem Sadiku tha se, në shumicën e këtyre shkollave, një numër i madh i nxënësve shqiptarë janë të detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase, sepse klasat në gjuhën shqipe janë të kufizuara.

“Kjo na përkujton periudhën e viteve ’70-’80, kur flitej për pamundësinë e hapjes së klasave në gjuhën shqipe. Kjo situatë, edhe sivjet do të përsëritet, sepse konkursi i publikuar nga ana e Ministrisë së Arsimit për vitin shkollor 2015-2016 nuk parasheh zgjidhje për këto probleme”, tha Azem Sadiku, sekretar i Përgjithshëm i PDSH-së.

Ministrinë e Arsimit në Maqedoni, prej rreth një viti e drejton Abdilaqim Ademi, i cili është pjesëtar i partisë shqiptare në pushtet BDI, por PDSH-ja opozitare thotë se gjatë kësaj periudhe, kushtet në arsimin shqip janë përkeqësuar, në vend që të përmirësoheshin.

“Dje kishim një deklaratë nga ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, i cili me papërgjegjshmëri dhe paturpësi, gati një vit në krye të Arsimit pas një periudhe më të gjatë kohore, doli dhe informoi shqiptarët e Shkupit se, jo vetëm që nuk do të zgjidhen problemet e shumta në arsimin shqip, por përkundrazi, ato do të thellohen edhe më! Emrat e 4 shkollave të Shkupit ngelen të pandryshuara, edhe pse, vetëm me një nënshkrim të ministrit këto 4 shkolla do të merrnin emra shqiptarësh, ashtu siç janë strukturat e nxënësve në këto shkolla”, tha Azem Sadiku, sekretar i Përgjithshëm i PDSH-së.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, këtë të premte kanë pritur në një takim disa përfaqësues të shkollave në mesme në Shkup. Pas takimit, ata dolën në mbrojtje të konkursit për vitin e ri shkollor, që nis në Shtator, duke thënë se ai është përpiluar konform nevojave të nxënësve.

Top Channel