PD: Pafajësia e Arben Frrokut u këmbye me heshtjen e Markut

03/04/2015 00:00

Për Partinë Demokratike vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda që i shpalli pafajësinë Arben Frrokut në fund të procesit 13-mujor për vrasjen e kryekomisar, Dritan Lamaj është i dyshimtë.

Deputeti Eduart Halimi aludon se pafajësia e Arben Frrokut mund të jetë këmbyer me heshtjen e vëllait të tij, Mark Frrokut për akuzat e ngritura nga Tom Doshi ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

“Vendimi i pafajësisë për vëllain e deputetit është sot në sytë e të gjithë shqiptarëve, një vendim që ngjall dyshimet më të forta se është diktuar nga qeveria për të mbyllur pazarin për çështjen Meta. A u ble heshtja e Mark Frrokut me lirimin e Arben Frrokut, i cili me gjasë do të ulet në krah të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë?”, deklaron deputeti Halimi.

Deputeti demokrat akuzon krerët e mazhorancës, kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta se kanë çuar në një shkallë të paimagjinueshme ndërhyrjet në drejtësi.

Më herët, të njëjtin aludim mbi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda hodhi edhe ish-Kryeministri Berisha përmes një postimi në “Facebook”.

Top Channel