Rikthehet bora në Korçë, reshje të dendura në të gjithë qarkun

03/04/2015 00:00

Juglindja e vendit i është rikthyer një dimri të vogël këtë të premte. Rreth mesditës, reshje të dendura bore kanë nisur në thuajse gjithë qarkun, duke rikthyer kështu karakteristikat e stinës së ftohtë.

Reshjet e para kanë nisur në qytetin e Pogradecit dhe Qafë-Plloçë, ndërsa më tej kanë vijuar edhe në qytetin e Korçës dhe në zonën e Devollit e Ersekës. Pavarësisht stinës së pranverës, një borë e pazakontë për stinën ka mbuluar pjesën më të madhe të qarkut, duke sjellë edhe një ulje të temperaturave, por pavarësisht kësaj, në akset nacionale dhe rrugët kryesore nuk ka pasur probleme.

Trashësia e borës nuk i ka kaluar 5 centimetrat në zonat më të larta.

Pavarësisht fenomenit të pazakontë për këtë muaj të vitit në të cilin ndodhemi, në pak orë thuajse gjithçka i është rikthyer normalitetit dhe bora ka shkrirë.

Top Channel