Procedurat që shpëtuan Mark Frrokun, zbardhet vendimi i Kasacionit belg

03/04/2015 00:00

Procedurat kanë shpëtuar Mark Frrokun nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Brukselit, me 10 vite burg ndaj tij. Në këtë përfundim ka dalë Gjykata e Kasacionit të Belgjikës, pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga ana e tij dhe e të pandehurit tjetër, Arjan Bytyçi.

Në vendimin e Gjykatës së Kasacionit në Belgjikë, i siguruar nga Top Channel, i cili mban datën 24 Mars 2010, argumentohen edhe akuzat se pse është rrëzuar vendimi në ngarkim të Frrokut.

“Gjykimet dhe vendimet e marra janë kontradiktore dhe nuk pranohen si vendime të drejta, pasi avokati ka ndërhyrë për të siguruar mbrojten e të pandehurit. Gjykata Penale vendosi, që i akuzuari të gjykohet në bazë të nenit 381, të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit, i akuzuari i paarrestuar nuk do të jetë prezent në datën e hapjes së seancës gjyqësore. Në këtë nen nuk përcaktohet  qartë paraqitja e personit, me ose pa avokat. Me fjalë të tjera, mjafton që i akuzuari të paraqitet në një nga dy mënyrat e përcaktuara, pra personalisht ose i përfaqësuar sipas zgjedhjes së tij, për ta bërë procedurën kontradiktore. Vendimi i ndërmjetëm i 11 Janarit 2010 vendos që përfaqësimi i të akuzuarit nga avokati nuk e bën procedurën kontradiktore. Por, asnjë dispozitë ligjore nuk e ndalon të akuzuarin, që ta shqyrtojë personalisht menaxhimin e procedurave, të cilat i janë paraqitur për shqyrtim. Këto dispozita bien ndesh me ankimin, gjykimi shkel nenet 12 të Kushtetutës dhe nenet e Kodit të Procedurës Penale”, – thuhet në argumentimin e Gjykatës së Kasacionit në Belgjikë.

Pas konstatimit të këtyre shkeljeve proceduriale, Gjykata vendosi prishjen e vendimeve të datave 11, 12 dhe 15 Janar 2010 nga Gjykata Penale e Brukselit, në ngarkim të Besnik Morinës (Mark Frrokut) dhe Arjan Bytyçit dhe dërgimin e kësaj çështjeje për rigjykim. Ndërsa dy të pandehurve u janë ngarkuar dhe shpenzimet gjyqësore, në vlerën e 235 eurove dhe 43 cent.

Është pikërisht ky precedent në çështjen e nisur në Belgjikë, në ngarkim të Mark Frrokut, çka ka detyruar autoritetet belge, që të kërkojnë nga pala shqiptare arrestimin dhe vënien e tij përpara drejtësisë.

Top Channel