Mandati i deputetit brenda familjes, i hiqet Mark Frrokut, në Kuvend hyn Arben Frroku?!

03/04/2015 00:00

Arben Frroku u çlirua nga akuzat në Gjykatën e Krimeve të Rënda duke marrë pafajësinë në ditën kur vëllait të tij, deputetit Mark Frroku, i nis një tjetër proces gjyqësor për të cilin gjykata i dha masën e sigurisë “arrest me burg”.

I akuzuar nga drejtësia belge për një vrasje në këtë shtet, Mark Frroku do të përballet me procesin gjyqësor, por ç’do të bëhet me mandatin e deputetit që ai mban?

Ligji parashikon këto mundësi: heqjen e mandatit nëse për një periudhë 6-mujore nuk paraqitet në Kuvend ose nëse ai shpallet fajtor në vendimin përfundimtar të të gjitha shkallëve të gjyqësorit.

Nëse ndodh një nga këto dy variante dhe Mark Frrokut i hiqet mandati i deputetit, ai i kalon vëllait të tij, Arben Frrokut. Në listën shumëemërore të kandidatëve të Partisë Kristian Demokratike, pas Mark Frrokut vjen Arben Frroku, i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Por, gjithsesi zgjidhja e çështjes së mandatit që aktualisht e mban Mark Frroku nuk do të jetë kaq e shpejtë, pa i dhënë përgjigje së pari akuzave ndaj tij.

Top Channel