Marinzë, banorët kundër kompensimit, kërkojnë zgjidhje përfundimtare

03/04/2015 00:00

Procesi i verifikimit të dëmeve në Marinzë është kundërshtuar nga vetë banorët të cilët janë prekur rëndë nga shpërthimi nëntokësor i gazit në fshatin e tyre.

Ata thonë se kërkojnë garanci se nuk do të ketë më shpërthime dhe lëkundje toke në këtë zonë të cilat u kanë vështirësuar jetën,nNë të kundërt nuk do të pranojnë asnjë lloj kompensimi financiar.

“Shtëpitë janë dëmtuar me plasaritje. Ka të dëmtuara pjesërisht dhe ka të dëmtuara plotësisht. Përveç dëmshpërblimit banorët kërkojnë që të diskutohet një zgjidhje e përhershme”, thotë Orion Hoxha, përfaqësues i Prefekturës së Fierit.

Pjesa më e madhe e banorëve thonë se ka vetëm një zgjidhje; ose te largohet kompania “Bankers”, ose kjo e fundit të sistemojë banorët me strehim në një vend tjetër.

Specialistët thonë se shpërthimi ka ardhur nga mosrespektimi i rregullores së shpimit të puseve. Sipas tyre kompania “Bankers” duhet të kompensojë jo vetëm çarjet e shtëpive, por edhe dëmet në bujqësi e blegtori, madje edhe ajrin e mbingarkuar me gazra helmues.

“Ka ndodhur një pakujdesi teknike, një çorganizim i organizuar. Në 1300 metra thellësi nuk kanë mbajtur nën kontroll gazin. Kompania të mos bëjë as më pak dhe as më shumë por të zbatojë teknikat që zbaton në Itali, Kanada, Gjermani dhe në vendet e tjera dhe jo të tallet me djersën dhe gjakun e këtij populli”, u shpreh Sazan Guri, ambientalist.

Shpërthimi i tre fontanave të gazit në Marinëz 2 ditë më parë, shkaktoi dëme të shumta materiale në fshatin Marinëz, fshati që prej disa vitesh vuan pasojat e shkaktuara nga shpërthimet që kryen kompania kanadeze dhe që në shumicën e rasteve trajtohen si lëkundje sizmike.

Autoritetet premtojnë dëmshpërblim, ndërsa banorët janë ende të pasigurtë që rreziku ka kaluar.

Top Channel