Haradinaj uron të krishterët në prag të Pashkëve

03/04/2015 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergjin dhe të gjithë të krishterët në prag të festës së Pashkëve.

“Festa e Pashkëve na kujton të gjithëve ditën e Ringjalljes dhe mesazhin e madh të ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, të paqes mbi luftën, të së mirës mbi të keqen”, thuhet në urimin e Haradinajt.

“Kam kënaqësinë t’iu përcjell urimet më të përzemërta në prag të festës së Pashkëve, juve personalisht, Ipeshkvisë së Kosovës dhe të krishterëve në mbarë vendin. Duke ndarë me ju emocionin e kësaj feste, ju uroj gjithë të mirat në misionin tuaj të shenjtë, në funksion të porosisë së madhe për mirëqenie, paqe, dashuri e harmoni midis të krishterëve, besimtarëve dhe njerëzimit kudo në botë. Gjithashtu, ju përcjell respektin dhe mbështetjen time për kontributin e madh, që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni në të mirë të harmonisë e mirëkuptimit ndërfetar në Kosovë, duke qenë me rolin tuaj pjesë e pandarë e të gjitha zhvillimeve dhe proceseve, nëpër të cilat ka kaluar populli dhe vendi ynë deri më sot”, vijonte deklarata.

Top Channel