Irani zotohet t’i përmbahet marrëveshjes

03/04/2015 00:00

Irani zotohet t’u përmbahet termave të nënshkruar në marrëveshjen paraprake me fuqitë e mëdha për programin e tij bërthamor, përsa kohë ndërkombëtarët do t’u përmbahen zotimeve të tyre.

“Ndërkombëtarët duhet ta dinë që ne nuk kemi ndërmend të mashtrojmë, të gënjejmë, por do t’u qëndrojmë zotimeve tonë”, deklaroi presidenti iranian, Hassan Rouhani në televizionin shtetëror në Teheran.

Megjithatë ai tha se vendi i tij e ka një plan B nëse ndërkombëtarët shkelin këtë marrëveshje.

“Nëse pala tjetër mban premtimet e saj, atëherë edhe Irani do të mbajë premtimet e veta, por nëse vendosin një ditë që të ndjekin një tjetër rrugë, vendi ynë gjithashtu është i lirë që të bëjë një tjetër zgjedhje”, tha ai.

Sipas Rohuani-t, bota njohu të drejtën e Iranit për të pasuruar uranium në tokën e tij dhe se ky pasurim nuk përbën kërcënim për asnjë vend tjetër.

Teherani dhe grupi i ashtuquajtur 5+1, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe plus Gjermania, arritën një aneks-marrëveshje ditën e enjte për programin bërthamor të Republikës Islamike.

Irani mohon akuzat e perëndimit se po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore dhe në bisedime u fut në përpjekje për të lehtësuar barrën e sanksioneve që ka topitur ekonominë vendase prej disa vitesh.

Lajmi i arritjes së një “parakontrate” u dha fillimisht nga kryediplomati iranian. “Gjetëm zgjidhjen. Gati të punojmë menjëherë për draft-marrëveshjen”, shkruajti ai shkurtimisht në rrjetet sociale.

Pas kësaj kryediplomatët protagonistë kryesorë në bisedimet maratonë komentuan njëri pas tjetrit. “Marrëveshje për shtegun që do ndjekim deri në marrëveshjen finale”, deklaroi ministri i jashtëm gjerman, po në rrjetet sociale.

“Një ditë e madhe. Së shpejti sërish në punë për marrëveshjen përfundimtare”, shkruante Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Me këto deklarata në rrjetet sociale të gjithë dolën të kënaqur nga marrëveshja, përveç njërit. “Çdo marrëveshje duhet të reduktojë aftësitë bërthamore të Iranit dhe të parandalojë terrorizmin dhe agresivitetin e tij”, shkruante kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Top Channel