Ivanov viziton Pustecin: Të rrisim shkëmbimet tregtare

03/04/2015 00:00

Në kuadrin e vizitës së tij disaditore në Shqipëri, presidenti i Maqedonisë Ivanov ka vizituar edhe komunën e pakicës maqedonase, Pustec prej ku ka parashtruar disa prej shqetësimeve aktuale rreth situatës politike, ekonomike dhe bashkëjetesës mes dy vendeve.

Pasi ka zhvilluar një takim të shkurtër me kreun e komunës, presidenti Ivanov nga Pusteci është shprehur se i ka kërkuar Shqipërisë që ta mbështesë Maqedoninë për të qenë pjesë e NATO-s.

“Në këtë takim kujdes të veçantë treguam për ekonominë sepse nuk i shkon dy shteteve që të kenë tregti të përbashkët prej 120 milionë euro. Shqipëria nuk është në listën e 20 vendeve me të cilat Maqedonia ka tregti, pra shkëmbim mallrash. Shumë prodhime shqiptare mund të gjejnë vend në tregun maqedonas si dhe e kundërta. Ekonomia është ajo që i vendos në lëvizje edhe situatat e tjera. Njerëzit po gjetën hapësirë që të tregtojnë prodhimet, shërbimet e tyre e bëjnë edhe më të afërt njëri- tjetrin dhe së bashku realizojmë interesat. Interesi është ai që i detyron për një bashkëpunim më të madh dhe të gjatë. Koha po ndryshon dhe të gjithë ata që investojnë në infrastrukturë kontribuan që marrëdhëniet midis 2 shteteve, 2 popujve të jenë më të afërta. Ne na pret një e ardhme europiane dhe Shqipëria e Maqedonia duan të bëhen pjesë e BE. BE nuk është që të vijë europa këtu, por ne ta krijojmë Europën në vendin tonë. Pas takimit me presidentin Nishani thashë se ne e ardhmja na bashkon”, tha në fjalën e tij presidenti maqedonas.

Më tej presidenti Ivanov është ndalur edhe tek shfrytëzimi i kësaj zone me potenciale turistike, ndërsa është dekoruar me titullin Qytetar Nderi nga kreu i komunës, Edmond Themelko.

Top Channel