Ndërron jetë “adoleshentja 100 vjeçare”

03/04/2015 00:00

Hayley Okines ishte një adoleshente britanike me dëshira si gjithë bashkëmoshataret e saj, e cila donte të shikonte koncerte muzikore “live”, të vëzhgonte yjet me teleskop, apo të organizonte piknike rreth zjarrit me miqtë e saj, por fatkeqësisht, ajo u nda nga jeta në moshën 17 vjeçare.

Hayley vuante nga një sëmundje e rrallë gjenetike, plakja e parakohshme, e cila përshpejton procesin 8 herë më shpejt se sa për një person normal. Por kjo nuk bëri që Hayley-n të ndrydhej në vetvete, përkundrazi, ajo u kthye në frymëzim me anë të botës së internetit. Madje në moshën 14-vjeçare vajza botoi një autobiografi ku tregonte për mënyrën se si dinte të merrte më të mirën nga jeta.

Hayley u bë e njohur si “adoleshentja 100-vjeçare”. Thuajse të gjitha mediat ndërkombëtare i dedikuan një hapësirë speciale me tituj si : Hayley Okines: Një adoleshente e cila frymëzoi miliona njerëz dhe mundi shanset kundër sëmundjes se plakjes .

Vajza fitoi zemrat e miliona njerëzve për shkak të trimërisë së saj .Përpara se të largohej nga jeta, la pas një letër ku kishte shkruar dëshirat e saj, të cilat do të donte t’i realizonte, por sipas nënës së Hayley-t jo të gjitha mundi t’i plotësonte.

Megjithatë, sipas 41-vjeçares, Kerry në fund të fundit e bija mori një bllok me kujtime me vete, vajza notoi me delfinët, udhëtoi thuajse në të gjithë botën, takoi princin Charles, këngetaren Kylie Minogue, Justin Bieber të preferuarin e saj, si edhe arriti të ishte pjesë e disa dokumentarëve televizivë.

Hayley Okines ndërroi jetë në moshën 17-vjeçare në trupin e një 100-vjeçareje. Por nuk duhet harruar se ashtu sikurse Hayley, në mbarë botën janë edhe 124 fëmijë të tjerë, të cilët jetojnë përditë me sfidën e sindromës “Progeria”.

Top Channel