Francë, pengjet e supermaketit në Paris padisin mediat franceze

03/04/2015 00:00

Gjashtë pengjet që arritën t’i fshiheshin personit të armatosur që kreu sulmin në një supermarket në lindje të Parisit më 9 janar, kanë hedhur në gjyq mediat franceze për transmetimin e drejtpërdrejtë të ngjarjes, duke thënë se kjo rrezikoi jetën e tyre.

I padituri kryesor në këtë rast është televizioni informativ francez BFMTV, i cili transmetoi informacione të vazhdueshme në lidhje me pengjet. Mes pengjeve ishte edhe një fëmijë 3 vjeç dhe një tjetër vetëm 1-muajsh që qëndruan për orë të tëra në frigorifer, ndërsa Amady Coulibaly ndodhej i armatosur në supermarket.  
 
“Jeta e tyre mund të ishte vënë në rrezik nëse Coulibaly do të kishte informacione për ato që televizioni francez transmetonte”, tha Klugman.

Zëdhënësja e Prokurorisë në Paris, Agnes Thibault-Lecuivre tha të premten se një hetim paraprak është nisur lidhur me transmetimet e BFMTV. Por ajo shtoi se është ende herët për të përcaktuar për masat që mund të merren.

Më parë, BFMTV ka pranuar se publikimi i vendndodhjes së pengjeve ishte nja gabim. “Në lidhje me historinë e supermarketit, ne e dimë se raportimi i gazetarëve tanë për vendndodhjen e një pengu ishte një gabim”, ka thënë drejtori i informacionit në televizionin BFMTV më 26 mars.

Ndërkohë në muajin shkurt, kishte konfirmuar se gazetari e kishte publikuar informacionin pasi ishte konsultuar me një drejtues të forcave speciale, i cili i kishte thënë gazetarit se personi nuk ishte më në rrezik pasi forcat speciale kanë zënë pozicion pranë dhomës frigoriferike.  

Top Channel