Basha: Në pushtet janë klanet e mafias. Rama, aleancë me “sahanlëpirësit”

04/04/2015 00:00

Duke akuzuar mazhorancën si klan mafioz në pushtet, Lulzim Basha sheh tek Vlora, ku kryeministri është deputet, flamurtarët e reagimit të shqiptarëve.

“Jam i bindur se Vlora, kjo gjykatëse e rreptë dhe hijerëndë, do të dijë t’i japë përgjigjen e merituar një oligarkie që nuk i llogarit qytetarët, por që i ka fshirë ata sikur të mos ekzistonin”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha e ka përforcuar këtë qëndrim duke e argumentuar me rastin “Doshi”. “Kryetari i Kuvendit akuzohet për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Akuzën e bën superdeputeti i Ramës për veriun. Kryeministri i di të gjitha, por për 6 muaj bashkë me ministrin përpiqen të bëjnë pazare si në tryezat e Cosa Nostra-s, dhe kur s’ia dalin dot krahu më i fuqishëm i mafias dominon. Këtë bën ai”, tha Basha.

Për Lulzim Bashën, 21 qershori do të jetë dita e gjykimit të mazhorancës. Këtë e di edhe kryeministri, tha ai, duke e argumentuar me aleancën e gjerë të së majtës në zgjedhje, e cila ka ulur në tryezë ata që vetë Rama i ka quajtur “sahanlëpirësit”.

“Sepse kuotat i kanë rënë në fund, prandaj ai e bën këtë. E bën sepse përballja me votën e qytetarëve është makthi i tij, makthi i mashtruesit kur përballet me të vërtetën. Koalicioni i PD është me qytetarët e këtij vendi. Kjo është aleanca jonë”, u shpreh Basha.

Ajo që spikati në mitingun e demokratëve në Vlorë ishte prania e deputetit çam Dashamir Tahiri, partia e të cilit ka deklaruar kalimin majtas, por që mesa duket ai vetë do të mbetet opozitar.

“I provuam për 45 vjet me radhë këta, kemi dhe dy vjet që i provuam, na çuan si në vitet para 90-ës. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkohemi. Kemi qenë atje ku jemi. Rroftë Çamëria! Rroftë Shqipëria”, tha Tahiri.

I rikthyer në Vlorë pas vizitave në zonat e përmbytura një muaj më parë, Basha mori mbështetjen edhe të një banori të emocionuar, i cili u ngatërrua jo pak herë teksa shprehte mbështetjen për kreun e PD.

“Duke ditur që mua më ka ardhur Edi Rama në shtëpi, ka veshur çizmet dhe më ka shkelur shtëpinë time. Më ka thënë ato fjalë të bukura dhe unë do të jem gjithmonë me Ramën. Më falni, me Lulzim Bashën”, tha banori.

Top Channel