PD: Po shkelen ligjet për miqësi politike

04/04/2015 00:00

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po shkel ligjet dhe planet urbanistike, në favor të miqve të tij politikë.

“Shteti i Edi Ramës mbyll sytë kur kalon nga Zogu i Zi ku ndërtesa 6 katëshe pa leje e deputetit të tij Abazi ka bllokuar diellin dhe ajrin e fqinjëve deri në katin e 6-të”, tha denoncimin e sotëm, Jamarbër Malltezi.

Sipas tij, ‘shteti i Ramës po e paguan në natyrë me mushkritë e Tiranës ndertuesin bujar të sarajeve të Surrelit. Shteti i Ramës fshihet dhe ikën në drejtim të paditur kur përballet me paligjshmeritë e Koçove, Sadrive, Vangjushëve, dhe gjithë Metastazave të Oligarkisë kur keta shkelin dhjetra ligje njëherësh.Partia Demokratike po i jep mundesinë Ramës që ta mbajë fjalën dhe mos gënjejë si gjithnjë dhe për gjithçka. Partia Demokratike depozitoi në Prokurori kallëzimin penal të argumentuar në 12 faqe lidhur me paligjshmërinë e Koços.
Sarajet e Koços dhunojnë jo 1 apo 2 por plot 10 ligje dhe 2 plane urbane. Ato përfaqësojnë një obelisk të antiligjit në Shqipëri. Për fat të keq, në vend që të deklaronte prishjen e obeliskut më të madh të antiligjit në Shqipëri, javën e shkuar Edi Rama premtoi që do i bëjë edhe një shëtitore përpara. Ky është tregues i llojit të shtetit që do të bëjë Rama’.

Më tej, Malltezi thekson se deputeti Koço Kokëdhima po shkel të gjithë ligjet e urbanistikës, mbrojtjës së mjedisit, lejeve mjedisore, rezervave ujore, planifikimit dhe kontrollit të territorit, inspektimeve të ndërtimit si edhe 2 Plane Urbanistike në fuqi, përkatësisht Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe Planet e Detajuara Vendore të Bashkisë Himarë.

“Kallëzimi penal përfshin veprat “Ndërtim i paligjshëm”, “Pushtim i tokës”, “Dëmtim të mjedisit”, “Shpërdorim i detyrës”, si dhe çdo vepër tjetër të konsumuar apo të mbetur në tentativë që do dalë nga hetimet si psh “falsifikim dokumentash” apo “dëshmi e rreme” nga drejtuesit e policisë.Shpresojmë që Prokuroria që ka hapur çështje penale edhe për një tende pa leje në tokë të vet tek “armiqtë e partisë” dhe qytetarët e thjeshtë, do të këtë kurajon të çojë para ligjit Koçon për këto shkelje flagrante të 10 ligjeve dhe 2 planeve urbanistike në fuqi”, tha Malltezi.

Top Channel