Rama, Qytetar Nderi në Ulqin: Ballkani të mësojë nga e kaluara

04/04/2015 00:00

Ditën e Komunës së Ulqinit, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Malit të Zi ku është nderuar me titullin Qytetar Nderi. I njëjti titull i është dhënë zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Takimi i parë i zotit Rama është zhvilluar me drejtuesit e pushtetit vendor në këtë qytet, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Në fjalën e tij Rama foli për bashkimin e shqiptarëve përmes së ardhmes evropiane.

“Ne do të ecim përpara për bashkimin tonë kombëtar, por pa harruar se ideja e bashkimit kombëtar në shekullin e 21-të është ideja e bashkimit të gjithë shqiptarëve në familjen e BE. Dhe pa asnjë dyshim, atë që po bëjmë së bashku me qeverinë e Kosovës ne jemi të gatshëm ta çojmë më tutje si një shembull të rrëzimit të kufijve, barrierave dhe pengesave dhe si një shembull hapjeje për të bashkërenduar energjitë njerëzore mes nesh edhe me qeveritë e tjera të rajonit, edhe me popujt e tjerë të rajonit”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar foli për një realitet të ri në Ballkan, i cili lë pas sipas tij të shkuarën. “Ne jemi të gatshëm ta kthejmë të shkuarën në një mësim të madh për të ardhmen dhe të bëjmë në këtë rajon, mes Shqipërisë dhe Serbisë, mes shqiptarëve dhe serbëve, atë që Franca dhe Gjermania bënë pas Luftës së Dytë Botërore, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi historik që çoi Evropën e shkatërruar nga lufta e tmerrshme në projektin dhe më pas realitetin e Europës së bashkuar”, tha Rama.

Më pas ai bëri një batutë që megjithatë kishte lidhje me thelbin e fjalimit të tij. “Mesa di unë, nuk ka asnjë dasmë, gëzim apo sebep në Shkodër ku nuk këndohet ‘më ka shku mendja me u feju e me marr një ulqinak’. Ajo që dua të them me këtë nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarinë, por me gjithë Ballkanin, i cili përbëhet nga vende që deri vonë janë konsideruar pjesë e një fuçie baruti, por që në të vërtetë është koha që Ballkanit t’i vëmë emrin e merituar si fuqi hareje e gëzimi të përbashkët”, tha Rama.

Kryeministri ka qenë më pas në një drekë të organizuar në nder të tij dhe ministrit të jashtëm kosovar, Hashim Thaci. I pyetur për përshtypjet e tij, Rama dha këtë përgjigje:

“Përshtypja është e jashtëzakonshme, pritja e jashtëzakonshme, nderimi i jashtëzakonshëm dhe për një njeri të zakonshëm si puna ime kjo është një ditë e çmuar”.

Top Channel